Vushtrriasit presin investime në ekonomi, arsim e shëndetësi
Tashmë kur kanë mbetur më pas se një orë deri në mbylljen e qendrave të votimit për procesin zgjedhor të sotëm, në qendrën më të madhe të votimit “Mustafë Venhari”, në Vushtrri shihet interesim më i shtuar i qytetarëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Tashmë kur kanë mbetur më pas se një orë deri në mbylljen e qendrave të votimit për procesin zgjedhor të sotëm, në qendrën më të madhe të votimit “Mustafë Venhari”, në Vushtrri shihet interesim më i shtuar i qytetarëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Në këtë qendër të votimit ku të drejtë vote kanë 9 mijë e 999 qytetarë, deri në orën 17:00 kanë votuar 3 mijë e 463 qytetarë apo 34%. Ndërsa në bazë të të dhënave te KQZ-së, deri në orën 15:00 në këtë komunë kanë dal në votime mbi 21%.
Menaxherja e kësaj qendre të votimit, Ferdane Llapashtica duke mos dashur të flas para kamerës, tha se procesi zgjedhor ka shkuar sot mirë dhe nuk është shënuar ndonjë pengesë.
Në këtë qendër të votimit komisionet dhe vëzhguesit shiheshin kryesisht me maska, por votuesit ishin ata që më pak po respektonin masat anti-Covid, kryesisht me mosmbajtjen e distancës dhe maskës.
KosovaPress gjatë qëndrimit në qendrën e votimit “Mustafë Venhari”, ka intervistuar disa qytetarë të cilët thanë se nga qeverisja e ardhshme lokale presin investime në shumë fusha.
Xhemajl Lahu ishte njëri nga vushtrriasët që përmes votës së tij po kërkon në krye të komunë së tij të vijnë njerëz meritor që punojnë për të mirën e qytetarëve.
Ai thotë se në katër vitet e ardhshme presin përmirësim ekonomi, arsim dhe shëndetësi.
Lahu: Duam njerëz meritor
“Ne si popull presim që të përmirësohet gjendja si në aspektin ekonomik, në të gjitha lëmit arsim e shëndetësi të vijnë njerëz më të vërtet e meritojnë që vërtet ia duan te mirën Kosovës. Qëllimi dhe dëshira jonë si qytetarë është që me ardhur njerëz të merituar”, tha ai.
E mbajtje të premtimeve të dhëna në fushatën zgjedhore pret Naime Mehmeti, e cila për KosovaPress shprehet se arsimi dhe shëndetësia duhet të jenë fokus i qeverisjes komunale në Vushtrri.
Mehmeti: Po presim diçka më mirë
“Po presim diçka më mirë, ndoshta bëhet me punu, ka bollë veç ishalla e arrisin, nuk kanë nevojë me fol më shumë”, tha ajo.
Ismajl Bajgora i cili gjatë ditës kishte votuar në një qendër tjetër të votimit por për të votuar në “Mustafë Venhari” e kishte sjellë bashkëshorten e tij, pret që qeverisja e ardhshme komunale të investojë më shumë në fushën e ekonomisë.
Bajgora: Presim përmirësim në ekonomi
“Presim si gjithë herë... në ekonomi presim... procesi shumë mirë ka shkuar, shumë qetë, pak kanë dal të votojnë”, tha ai.
Në komunën e Vushtrrisë 71. 684 qytetarë kanë të drejtë vote në 32 qendra të votimit me gjithsej 98 vendvotime.
Në Vushtrri në balotazh janë Ferit Idrizi i PDK-së dhe Xhafer Tahiri i LDK-së.























