Fillon deklarimin e tij dëshmitari i tetë i mbrojtur në rastin e Mustafës
Sharr Travel

Fillon deklarimin e tij dëshmitari i tetë i mbrojtur në rastin e Mustafës

Në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, të hënën e ka filluar deklarimin e tij dëshmitari i tetë i mbrojtur, me kodin W04391.

Deklarimi i dëshmitarit të tetë deri në pauzën e parë është përcjellë me seancë të mbyllur, ku prokuroria i ka parashtruar pyetje. Parashtrimin e pyetjeve prokuroria pritet ta vazhdojë edhe pas pauzës.

Paraprakisht, para dëgjimit të këtij dëshmitari, avokati Julius Von Bone tha se mbrojtja e kundërshton një kërkesë të prokurorisë.

“Në veçanti çështja ka të bëjë me këtë: si kundër rregulli 153 thotë trupi gjykues mund të pranoj një deklaratë me shkrim të dëshmitarit që provon një çështje të ndryshme nga veprimi dhe sjellja e të akuzuarit, ne e gjejmë këtë kërkesë shumë të vakët, lidhur me çfarë çështje konkrete kjo kërkesë do të trajtonte”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues i tha se duhet të bëjnë parashtrim me shkrim dhe jo verbalisht dhe se duhet ta dorëzojnë parashtrimin për këtë çështje.

Kurse, prokurorja Silvia D’ascoli tha se dëshiron të shtoj se do të ketë shtojcë për këtë parashtrim, ku do të thonë arsyet për kërkesën që u urdhërua edhe nga trupi gjykues, por se thelbi i kërkesës është parashtruar në parashtrimin kryesor. Më pas, ajo kërkoi të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje.

Ndërkaq, mbrojtësja e viktimave, Anni Pues ka thënë se përgjigjen për kërkesën e rregullës 153 mund ta dorëzojnë më 1 dhjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi