Sfida vendimtare për Romën dhe Lazion në Conference League
Do të luhen sot ndeshjet e parafundit të grupeve në Europa League dhe Conference League.
Eintracht Frankfurt, Lyon dhe West Ham janë skuadrat që kanë siguruar deri më tani kualifikimin në turin tjetër të Europa League, por sot mund të mësohen edhe emrat e ekipeve të tjera që do të vazhdojnë më tej aventurën e tyre në këtë kompeticion.
Lazion e pret një transfertë e vështirë në Moskë përballë Lokomotivës vendase. Një sukses në Rusi do të sillte më pranë kualifikimin për skuadrën e Sarrit. Kryesuesit e Galatasaray do të presin në shtëpi Marseillen në ndeshjen tjetër të grupit E.
Leverkusen-Celtic është një nga sfidat më interesante të ditës së sotme, ndërsa Ferencvarosi i Uzunit kërkon pikët e para në kompeticion në transfertën përballë Betisit.
Ndeshja më e rëndësishme e ditës është përballja mes Monacos dhe Real Sociedadit, rezultati i së cilës mund të vendosë se kush do të jetë skuadra që do të kryesojë grupin B. Leicesteri pret në shtëpi Legian, ndërsa në Pire ka aromë derbi në përballjen mes Olympiacos dhe Fenerbahces.
Ndeshjet e Europa League do të luhen në orën 18:45 dhe në orën 21:00.
Ndonëse janë ndeshjet e parafundit në grupe, tensioni është i lartë në Conferencë League, sepse akoma asnjë skuadër nuk është kualifikuar për në 1/8 e finaleve të turneut (kujtojmë që vendet e para të çdo grupi kualifikohen direkt mes 16 më të mirave të kompeticionit, ndërsa vendet e dyta do të luajnë në Play Off me skuadrat e renditura ne vendin e tretë në grupet e Europa Legue).
Roma luan një ndeshje vendimtare për ecurinë në këtë turne në “Olimpico” përballë Zorya Luhansk, ndërsa Tottenhami i Contes do të luajë në transfertë përballë Muras.
Rennes-Vitesse dhe Slavia Prague-Feyenoord janë dy nga sfidat më interesante të ditës së sotme në Conference League.
Takimet e parafundit në grup do të luhen në tre orare të ndryshme: në orën 16:30, 18:45 dhe 21:00.























