Gjini: Dëme ekonomisë po i sjellë ndërtimi i rrugës Dollc-Gjakovë
Sharr Travel

Gjini: Dëme ekonomisë po i sjellë ndërtimi i rrugës Dollc-Gjakovë

Rizgjedhja e Ardian Gjinit edhe për një mandat në krye të Gjakovës, do të nisin me punë të mëdha, që nga nisja e konstituimit të asamblesë komunale e deri të planifikimi i buxhetit për vitin 2022

Ardian Gjini që në zgjedhjet e 14 nëntorit u konfirmua edhe për një mandat në ulëse të kryetarit, tha se projektet që janë paraqitur në fushatë do të finalizohen këtë mandat.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Gjini thotë se do të vazhdojnë me projektet që kanë qenë vazhdimësi dhe me disa që do të nisin në vitin e ardhshëm.  

“Puna e parë është me e konstituua asamblenë komunale dhe administratën e re, atëherë menjëherë fillojmë me planifikimin për vitin 2022. Është koha kur planifikohet buxheti, kryhet plani i prokurimit, pra ka shumë punë që na presin menjëherë, ndërsa te projektet kemi projekte që janë vazhdimësi dhe disa që nisin vitin e ardhshëm, të cilat i kemi buxhetuar dhe i kemi paraqitur në fushatë”, tha ai.

Shpesh herë ankesë e madhe e Gjinit ka qenë injorimi i institucioneve qendrore për projekte madhore në Komunën e Gjakovës, për çka thotë se penalizimin e vuan qytetari e jo kryetari i komunës. 

Por ai tash po pret që nuk do të ketë injorim nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti. 

“Ne do të aplikojmë si të gjitha komunat tjera, unë nuk besoj se mundemi me arrit në një situatë në të cilën Qeveria e Kosovës i penalizon qytetarët e vet sepse nuk penalizohet kryetari i komunës por qytetarët, dhe nuk besoj se kemi mbërri deri aty si vend dhe politikë, sidoqoftë, edhe Komuna e Gjakovës ka ecur jashtëzakonisht shumë në fondet e veta, me të hyra të veta dhe me investimet kapitale. Do t’i shfrytëzojmë në mënyrën më racionale dhe maksimalisht për benefite të qytetarëve”, tha ai.

Dëme të konsiderueshme ekonomisë në Gjakovë, Gjini thotë se po i bëjnë zvarritjet e punimeve në ndërtimin e rrugës nacionale Dollc-Gjakovë. 

Për këtë, ai shpreson se vitin e ardhshëm të ndërtohet kjo rrugë.

“Zvarritja e punimeve tani po e shohim që një segment po punohet më intenzivisht, mirëpo zvarritja e punimeve është dëm për ekonominë e Gjakovës dhe për qytetarët, mirëpo po besoj se vitin tjetër do të ketë një angazhim më të madh”, tha Gjini.


MË SHUME NGA Komunat