Varrosen viktimat e fundit të tragjedisë
Sharr Travel

Varrosen viktimat e fundit të tragjedisë

Ceremonitë mortore të viktimave të tragjedisë me autobus u zhvilluan edhe sot.

Katër anëtarëve të familjes Ahmeti nga fshati Vishticë, me banim në Shkup, iu dha lamtumira e fundit në vendlindjen e tyre. Qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë e varrimit, ku u shua familja e tërë e Avniut, me bashkëshorten dhe dy binjak katër vjeç, Luani dhe Albani.

 “Po u shua kjo familje, iu mbyll dera, katër xhenaze. Kur e morëm lajmin se çfarë ka ndodhur në Bullgari na lëshuan këmbët se bash familje, por s’kemi çfarë të bëjmë. Dashtë Zoti iu fal kusuret e ju jep gajretin familjarëve, çfarë të bëjmë tjetër.”

Momente të rënda pikëllimi ndanë të afërmit e viktimave, të cilët treguan bisedën e fundit telefonike që kishin me Avniun. I ndjeri, i kthyer nga Gjermania dhe pas ekskursionit në Turqi kishte bërë letrat për bashkim familjarë, por tragjedia ia preu ëndrrat për të marrë familjen me vete.

  “Më e rënda ka qenë se 40 minuta kam folur para se mu nis prej Turqisë për në vendlindje, edhe më tha se kurrë pushim më të mirë nuk kanë pasur. Nuk ka kaluar ditë që nuk kemi komunikuar, dhe at ditë kur marr ti shkruaj në WhatsApp se përse nuk ka telefonuar dhe ku janë, por ai veç se kishte ndërruar jetë!”

 Ndërkohë sot në varrezat e qytetit në Kërçovë u varros Gazmend Ukalli, i cili bashkë me të fejuarën humbën jetën në këtë tragjedi. Gjatë ditës së djeshme u varrosën edhe viktimat tjera në Moran, Studeniçan, Koliçan, Sllupçan e Tetovë. 10 ditë pas tragjedisë, trupat e pajetë dje u sollën në vend me dy aeroplanë ushtarak bullgar, të cilët u pritën me protokoll shtetëror, Pas nderimeve të larta të kryer në Aeroportin e Shkupit./Alsat M