Ngriten katër aktakuza ndaj katër personave për dhunë në familje gjatë 24
Gjatë 24 orëve të fundit në Republikën e Kosovës, janë ngritur katër aktakuza ndaj katër personave, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Kjo u bë e ditur përmes raportit 24-orësh të Prokurorit të Shtetit.
Sipas këtij raporti, brenda 24 orëve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur tri aktakuza kundër tre personave për “Dhunë në familje”.
Ndërsa, është paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një person, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer këtë vepër penale si dhe janë ndaluar dy të dyshuar të tjerë.
Një aktakuzë për “Dhunë në familje” ndaj një personi, e ka ngritur edhe Prokuroria Themelore në Gjilan, ku i njëjti akuzohet edhe për “Lëndim të lehtë trupor”.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre persona, në tri raste të ndryshme, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”. /BetimipërDrejtësi























