Inzaghi: Rezultati me Realin nuk i përgjigjet lojës
BKT
Sport

Inzaghi: Rezultati me Realin nuk i përgjigjet lojës

Interi u mposht nga Real Madrid edhe në Spanjë dhe trajneri Simone Inzaghi ishte i mërzitur për faktin që skuadra e tij u paraqit mirë dhe sërish nuk shënoi dot dhe u mposht.

Për Sky Sport Italia, trajneri i kampionëve të Italisë, deklaroi:

“Ka shumë keqardhje, veçanërisht pasi bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, treguam karakter, krijuam disa raste dhe statistikat ishin në favorin tonë, por në fund shkuam në pushim në disavantazh. Kjo nuk pasqyronte atë që u dha në fushë. Qartësisht donim një rezultat ndryshe, por kjo sigurisht do të na ndihmojë si përvojë për të ardhmen”.

“Kartoni i kuq i Barella? Ai bëri një gabim të rëndë, por është inteligjent dhe e pranoi gabimin e tij. Barella i kërkoi falje stafit, shokëve dhe të gjithëve. Loja ishte akoma e hapur në ato momente. Ai karton do ta ndihmojë të rritet. Shpresoj që nuk do të ndodhë më diçka e tillë”.

“Mendoj se krijuam mundësi të shumta shënimi dhe situata të mira, plus që ishim mirë deri në momentin që ishim me 11 lojtarë. Fatkeqësisht në të dyja ndeshjet kundër Real Madrid kemi luajtur mirë, por nuk shënuam dot gol. Kështu që duket se po na mungon diçka. Padyshim gjëja më e rëndësishme ishte të kualifikoheshim dhe e arritëm një ndeshje para fundit”, përfundoi Inzaghi.