Serbia e Rusia me marrëveshje për Qendrën e Teknologjisë Bërthamore
Qeveria e Serbisë dhe korporata shtetërore ruse “Rosatom” nënshkruan një marrëveshje kornizë për ndërtimin e Qendrës për Teknologjitë Bërthamore dhe një marrëveshje për themelimin e një ndërmarrjeje të përbashkët që do ta zbatojë këtë projekt në territorin e Serbisë, shkruan e përditshmja serbe “Danas”.
Në prag të vizitës së kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç në Moskë, marrëveshjet u nënshkruan nga ministri përgjegjës për inovacionin dhe zhvillimin teknologjik dhe kryetari i Komitetit Ndërqeveritar për Bashkëpunim me Rusinë Nenad Popoviç dhe presidenti i Rosatom Oversiz, Yevgeny Pakermanov.
Marrëveshja parashikon që në Serbi gjatë tre viteve të ardhshme të ndërtohet një Qendër për Mjekësinë Bërthamore e bazuar në një kompleks ciklotron dhe objekte për prodhimin e radiofarmaceutikëve.
“Kjo është një ditë historike në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Bazuar në marrëveshjen mes liderëve tanë, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit rus Vladimir Putin, ne kemi nënshkruar marrëveshje që e kthejnë Serbinë në hartën e vendeve evropiane që kanë kapacitet për kërkime shkencore në fushën e teknologjive bërthamore”, tha Popovic.
Ai vlerësoi se projekti i ri do të ngrejë gatishmërinë e Serbisë në fushën e mjekësisë, shkencës, hulumtimit dhe shtoi se tashmë ka kërkesa nga vendet fqinje që të shfrytëzohen kapacitetet e Qendrës për teknologji bërthamore së bashku me shkencëtarët nga Serbia.
“Kompleksi Radiofarmaceutik dhe Qendra për Mjekësinë Bërthamore do ta bëjnë kujdesin mjekësor të teknologjisë së lartë të aksesueshme për qytetarët e Serbisë, që synon kryesisht zgjidhjen e problemeve në luftën kundër sëmundjeve onkologjike,” tha drejtori i përgjithshëm i Rosatom, Alexei Likhachev.
Qendra e ardhshme do të aplikojë teknologjitë më të avancuara si prodhimi i radioizotopeve që përdoren për qëllime mjekësore dhe industriale, prodhimi i silikonit të aliazhuar për industrinë, ofrimi i shërbimeve për përcaktimin e përbërjes elementare të xeheve dhe mineraleve, si dhe mostra mjedisore.
“Në kuadër të sipërmarrjes sonë të përbashkët me palën serbe do të nisë prodhimi modern i radiofarmaceutikëve për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Kjo do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin e mjekësisë së avancuar bërthamore në Serbi dhe në të gjithë rajonin”, tha presidenti i Rosatom Oversize, Yevgeny Packermanov.
Sipas tij, fillimi i punimeve për realizimin praktik të projektit është planifikuar që në vitin 2022.
Projekti i krijimit të Qendrës për Teknologjitë Bërthamore po realizohet në kuadër të Marrëveshjes Ndërshtetërore ndërmjet Qeverive të Serbisë dhe Rusisë, e nënshkruar në vitin 2019, gjatë vizitës së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Serbi.























