Peja shndrit vetë, Muhaxheri që 5 vjet nuk ndan buxhet për stolisjen e saj
Komuna e Pejës është një ndër komunat e pakta në Kosovë që nuk ka ndarë buxhet për dekorimin e qytetit në prag të festave të fundvitit.
‘’Komuna e Pejës nuk ka shpenzuar fare për stolisjen e qytetit, kjo është bërë me vullnetin e lirë nga bizneset’’, thuhet në përgjigjen e komunës për Demokracia.com.
Ndërsa, vitin e kaluar kjo komunë ka ndarë buxhet në vlerë deri në 1 mijë euro tenderim për kompaninë që do të stoliste sheshin e Pejës.
Tender, i cili nuk figuron në të dhënat e kontraktimeve publike që ka kryer Komuna e Pejës për dekorimin e qytetit.
As në vitin 2019, Komuna e Pejës nuk ndau buxhet për dekorimin e qytetit, kurse zyrtarët e kësaj komune atëherë kishin arsyetuar mosndarjen e buxhetit për shkaqe infrastrukturore.
Komuna e Pejës prej vitit 2015 deri më 2020 nuk ka ndarë buxhet komunal për të dekoruar sheshin për festat e fundvitit.
Vitet e mëparshme, Komuna e Pejës ka pasur rregullisht një kod në të cilin kanë qenë 10 mijë euro të dedikuara për stolisje të qytetit. Edhe në vitin 2014, ky buxhet ishte planifikuar për vitin 2015, por mjetet nga ky kod ishin marrë për të paguar borxhe të komunës për kontestet e saj të humbura gjyqësore.























