Dëshmitari:Ne kemi dashur të tregojmë që Serbia ia ka dhënë informatat Hagë
BKT
   Betimi për Drejtësi

Dëshmitari:Ne kemi dashur të tregojmë që Serbia ia ka dhënë informatat Hagë

Anëtari i këshillit të Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL), Qelë Gashi, në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, ka deklaruar se ishin të mendimit që publiku kosovar duhej të njoftohej me përbërjen e dokumenteve që ishin sjellë në zyrat e OVL-së.

E që sipas tij, kjo do të minonte Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të cilin organ ai tha se nuk e njohin si legjitim.

“Ne nuk kemi dashur të japim emra, vetëm kemi dashur t’i tregojmë publikut që Serbia ja kanë dhënë informatat Hagës”, ka deklaruar ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në leximin e deklaratës së tij me shkrim nga mbrojtja, Gashi kishte deklaruar se kishte qenë i pranishëm në zyrat e OVL-së në tri rastet kur ishin sjellë dokumentet.

Sipas Gashit, herën e parë më 7 shtator 2020 derisa ai kishte qenë në zyre me Gucatin, Haradinajn, Taibe Miftarin dhe Elvir Gucatin, kishin kuptuar se ishte sjellë një pako për të cilën në fillim ata kishin menduar se përmbante “bombë”, por që më pas ishte kuptuar se ishin disa dokumente.

“Shkova në recepsion kur pash një paketë, pak më të vogël se paketa e bananeve në të cilat gjendeshin dokumente”, tha ai.

Këto dokumente sipas Gashit kishin shkrim në gjuhën serbe, përfshirë emra serb duke cekur emrin “Vukoviq”.

“Nuk e njihja këtë emër, megjithatë këtë emër e kam parë shumë herë sepse është përmendur në shumë dokumente”, tha ai.

Ai ka thënë se ka pasur një numër voluminoz të dokumenteve, disa nga të cilat ai tha se i kishte lexuar.

“Ka mujt me kon pjesë-pjesë, kom dal jom kthy, se mu ka duft me shku pak te Taibja se u kon e shqetesume. Pra, ka qenë me kohë të ndërprera, përafërsisht 30-40 min, përafërsisht se s’po muj me ditë saktë se një pjesë e ndame u kon. S’jom fort i saktë se osht kohë pak e gjatë po përafërsisht ka mujt me kone”, tha ai.

Siç tha Gashi, ai duke shikuar paketën kishte menduar se si ZPS ka mundur të binte në nivelin e Serbisë dhe se ishte i hutuar lidhur me qëllimin e arsyes përse ishin sjellë dokumentet.

Të nesërmen e 8 shtatorit ai tha se në zyre kishte parë katër persona që ishin nga ZPS dhe të cilët kishin kërkuar tu dorëzoheshin dokumentet, por se të njëjtit nuk kishin pranuar.

Edhe në dërgesën e dytë të dokumenteve, Gashi tha se kishte arritur të shikonte disa nga dokumentet që ishin në paketë.

“Për Vukceviqin, e kom lexu emrin e tij dhe gjuhën serbe nuk e njoh fort mire, veç përafërsisht, kom lexu disa letra kredenciale që jon bo përmes Vukceviqit dhe SPO-së”, tha ai.

Sikurse për dërgesën e parë edhe në këtë dërgesë, Gashi tha se këto dokumentet kishte parë me kohë të ndërprera pasi që siç tha ai, Miftari ishte e shqetësuar dhe duhej t;i jepej kurajë.

“Taibja u kon shumë e shqetesume dhe jom shku mu merr me to, se ajo ke ma e stresume dhe na u duftë me shku me i dhonë kurajë me i thanë që të jetë ma e qet”, tha ai.

Ndërsa në dërgesën e 3 të dokumenteve që ishte bërë më 22 shtator, Gashi tha se ai ishte njoftuar nga Miftari se kishte hyrë një person në zyre dhe kishte hedhur dokumente në dysheme.

“Ishim në sallën e konferencave kur e dëgjova një rrëmujë poshtë, shkova poshtë dhe e pash që Taibja ishte e shqetësuar, kështu që unë vrapova ta qetësoja ajo më tha se një mashkull kishte hyrë në zyrë dhe i kishte sjellë dokumentet të cilat i kishte hedhur në dysheme”, tha ai.

Ai tha se kishte arritur të shikonte këto dokumente dhe se sipas tij të njëjtat dukej se ishin aktakuza në gjuhën angleze që përmbanin emra të heronjve të tij.

“I shikova shpejt dokumentet të cilat dukej se ishin aktakuza dhe ishin në gjuhën angleze, i njihja emrat në aktakuza sepse ata ishin heronjtë e mi dhe vet mohues për çështjen. E dija që kjo ishte vepër e Serbisë”, tha ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të ZPS-së, Gashi ka thënë se dëshironin që dokumentet të bëheshin publike pasi siç tha ai kemi “dashtë me qit në dritë bashkëpunimin e DhSK-së dhe regjimit të Serbisë”.

Në pyetjen e prokurorit “Dëshironit që t’i minonit DhSk, kështu?”, ai u përgjigj “Nuk kom dëshirua, po ju vet i keni minu se keni marrë material prej Serbisë, materialin e keni pru vet mes ZPS ju, unë se kom pru ato. Na vetëm të drejtën kemi dashtë me kallxu”.

Paraprakisht, trupi gjykues ka pranuar deklaratën me shkrim të dëshmitarit Qelë Gashi, përjashtuar paragrafët 16,32,34,14 dhe 28.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt ka filluar në muajin tetor të këtij viti, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mbyllur çështjen e saj në nëntor.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi