Britania e Madhe e shqetësuar me tensionet në Ballkanin Perëndimor
Britania e Madhe u bëri thirrje përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor të refuzojnë gjuhën e urrejtjes dhe të punojnë me komunitetit ndërkombëtar, për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.
Këto komente u bënë të hënën, pas një takimi të shefes së diplomacisë britanike, Liz Truss me ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në takim morën pjesë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe ai evropian Miroslav Lajçak.
Në një njoftim të qeverisë britanike thuhet se takimi u mbajt në një periudhë kur “tensionet në rajon kanë arritur kulmin”, duke ju referuar deklarimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovine se vendi aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e pasluftës dhe se ka një mundësi reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.
“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Britania e Madhe po punon për të trajtuar çdo kërcënim ndaj qëndrueshmërisë pas 26 vitesh përparimi të arritur me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se situata në Ballkanin Perëndimor është diskutuar edhe në takimin e G-7-tës që u mbajt gjatë fundjavës në Liverpool./VoA
























