Gjendja katastrofale e rrugëve në Mati 1, kompania nuk ka nisur riparimin
BKT
   Komunat

Gjendja katastrofale e rrugëve në Mati 1, kompania nuk ka nisur riparimin

Rruga “Muharrem Fejza” në lagjen Mati 1 në Prishtinë dhe rrugët lidhëse përreth saj, ka mbi një vit që gjenden në gjendje të keqe infrastrukturore.

Kjo situatë po shqetëson banorët dhe bizniset në këtë rrugë, të cilat po përballen me probleme të përditshme që shkaktohen si pasojë e rrugëve të dëmtuara.

Komuna e Prishtinës ka disa muaj që ka nisur ri-konstruktimin e rrugës “Muharrem Fejza”, ku gjithashtu ka nisur edhe projekti i shtrirjes së ngrohtores së qytetit “Termokos” për vendbanimet në këtë zonë të Prishtinës.

Por, edhe pse komuna ka paraparë zgjerimin e rrugës, krijimin e shtegut për biçikleta dhe zgjerimin e trotuareve për këmbësorë brenda disa muajve, deri më tani është kryer pothuajse vetëm gjysma e punës.

Sipas kompanisë kontraktuese për punët në rrugën “Muharrem Fejza”, vonesat kanë të bëjnë me shkaqe teknike, për shkak se është dashur që në të njëjtën kohë në këtë rrugë kanë punuar edhe kompani të tjera për shtrirjen e rrjetit të ngrohtores së qytetit, pastaj kompanitë e internetit etj.

Në anën tjetër, kompania kontraktuese për shtrirjen e rrjetit të “Termokosit” në rrugicat përreth rrugës “Muharrem Fejza”, edhe pse ka përfunduar punën në rrugica, nuk i ka kthyer ato në gjendjen e mëparshme.

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka, në një prononcim për lajmi.net ka konfirmuar se punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në lagjen “Mati 1”, përkatësisht në rrugën “Muharrem Fejza” dhe rrugicave përreth saj, që janë realizuar nga kompania punëkryese e kontraktuar nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), tanimë kanë përfunduar.

“Për sqarimin tuaj, rikthimi i rrugëve në gjendjen paraprake është obligim i kompanisë punëkryese, do të thotë në gjendjen sido të thotë në gjendjen siç kanë qenë para fillimit të punimeve, gjë që është në fazën finale të realizimit”, ka thënë Uka.

Ajo ka thënë se për pak ditë, i gjithë procesi i rikthimit të çdo pozicioni të rrugëve ku është punuar, do të rikthehet në gjendjen paraprake.

Por, gjendja reale e këtyre rrugëve tregon se procesi i rikthimit të tyre në gjendjen e mëparshme nuk ka nisur ende.


MË SHUME NGA    Komunat