Lirohen nga akuzat dy ish–ekspertët OSHP-së, akuzoheshin për korrupsion
Dy ish-ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi janë liruar nga akuzat për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Bashkë me ta akuzohej edhe pronari i firmës NTP “Friends”, Armend Selimi, i cili është gjetur fajtor për veprën penale të “Mashtrimit” dhe është dënuar me gjashtë muaj burgim, ndërsa është liruar nga akuza për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Ramadanit dhe Fetoshit, u shpall të hënën nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Medie Bytyqi.
Ndryshe, aktakuza e ngritur në prill të vitit 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ngarkonte Armend Selimin se në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, se nga viti 2013 e deri në korrik të vitit 2014, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitojë një tender.
Duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), thuhet se ka falsifikuar certifikatat e dorëzuara në AKPPM.
Me këtë rast, ai ngarkohej se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe atë të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Ndërsa, Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi akuzoheshin se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Ata thuhet se në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend Selimi pretendohej se i kishte falsifikuar dokumentet.
Sipas prokurorisë, ata kishin keqpërdorur pozitën e tyre lidhur me tenderin për “Furnizim me material shpenzues” nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtit sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson&Friends” në Londër është i falsifikuar dhe se këtë autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.
Në bazë të kësaj, ata thuhej se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale.
Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitojë tenderin nga Ministria e Shëndetësisë. /BetimipërDrejtësi























