Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në rastin “Brezovica"
BKT
   Betimi për Drejtësi

Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në rastin “Brezovica"

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurve B.N, D.R., D.M., H.B., S.M., R.B., R.H., B.I., S.S., dhe J.K, të cilët me vendim të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri B.N., nga viti 2014 deri në tetor 2018, në Shtërpcë, si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës , ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend-zonës në Brezovicë.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I njëjti sipas Prokurorisë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend-zonës në Brezovicë.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të KPRK-së.

Po ashtu, ndaj të pandehurit B.N., thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se ka pranuar dhurata me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtar për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar Sharri në zonën e tretë të vikend-zonës në Brezovicë.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së.

Ndaj të njëjtit (B.N.), sipas prokurorisë ekziston dyshimi i arsyeshëm së 21 dhjetor 2021 në shtëpinë e tij në Shtërpcë, ka poseduar armën në kundërshtimin me nenin 5 të Ligjit mbi armët numër 05/L-022, në atë mënyrë me rastin e urdhër-kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një pistoletë e tipit “Cërvena Zastava”, dy karikatorë dhe 247 fishekë të kalibrit 9 mm, dhe një armë shigjetë, të cilat janë sekuestruar nga policia.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të Kodit Penal.

Të pandehurit D.R., D.M. dhe H.B., thuhet se si persona zyrtarë kanë shpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimet ligjore për të ndaluar ndërtimet pa leje të vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Me këtë, në bashkëkryerje dyshohen të kenë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga nen 422 par.1 lidhur me neni 31 të KPRK-ës dhe “Marrja e ryshfetit” nga neni 428, par.2 lidhur me nen 31 të Kodit Penal.

Tutje, në kërkesën e prokurorisë thuhet se ndaj të pandehurit S.M., ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga viti 2011-2016, si person zyrtar, Drejtor i Kadastrit në komunën e Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kdit Penal.

I njëjti, në mënyrë të drejtpërdrejtë thuhet se ka marrë para dhe dhurata me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare lidhur me përgatitjen e dokumentacionit për regjistrim të parcelave kadastrale.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit “nga neni 428 par.2 të Kodit Penal.

Po ashtu, ndaj të njëjtit (S.M), thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga viti 2011-2016, si person zyrtar, Drejtor i Kadastrit në Komunën e Shtërpcë, ka kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë para dhe dhurata me qëllim që të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm në vendimmarrjen e personit zyrtar – Drejtorit të urbanizmit.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të Kodit Penal.

Tutje, i pandehuri S.M., thuhet se ka poseduar armën në kundërshtimin me nenin 5 të Ligjit mbi armët numër 05/L-022, në atë mënyrë me rastin e urdhër kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur një revole e tipit TT  me numër serik C-102173 dhe 18 fishekë dhe një pushkë gjuetie me numër serik B-21388 me 21 fishek , të cilat janë sekuestruar nga policia.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të Kodit Penal.

Sipas prokurorisë, ndaj të pandehurit R.F., ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga viti 2012-2018 , si person zyrtar – shef i Inspektoratit në Komunën e Shtërpcës në mënyrë të drejtpërdrejtë ka marrë para në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare.

Me këtë, dyshohet do të ketë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.1 të KPRK-së.

I njëjti thuhet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Andaj, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 të KPRK-së.

Kurse, ndaj R.H., sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar  që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-së dhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së.

I njëjti, thuhet se iu ka shmangur tatimit pjesërisht pagesës së tatimit duke i prezantuar të dhëna të pavërteta në administratën tatimore. Andaj, me këtë dyshoet të ketë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Ndaj të pandehurit B.I., thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare.

Me këtë dyshohet të ketë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-së, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së dhe veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Ndërsa, për të pandehurit S.S dhe J.K sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se gjatë vitit 2016 në Shtërpcë kanë ndihmuar personin zyrtar në shmangien  e zbulimit të veprave penale kundër  korrupsionit zyrtar dhe detyrës zyrtare.

Me këtë dyshohen të kenë kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 138 par.1 lidhur me par.2 nënpar. 2.7 të Kodit Penal. /BetimpërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi