KPK themelon dy panele hetimore
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në mbledhjen e 207-të të mbajtur të martën, ka themeluar dy panele hetimore për të hetuar pretendimet për shkelje disiplinore të një prokurori nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe një tjetri nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku, kërkesat për inicim të procedurave disiplinore ishin bërë nga autoritetet kompetente, konkretisht nga dy kryeprokurorët e prokurorive përkatëse dhe bazohen në pretendimet për lëshime profesionale të këtyre prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.
Anëtarë të panelit hetimor për të hetuar shkeljet disiplinore të prokurorit nga Prokuroria e Prizrenit u përzgjodhën prokurorët Xhevdet Bislimi, Shukri Jashari dhe Besim Kelmendi, i cili u caktua kryesues. Ndërsa si anëtarë rezervë do të shërbejnë prokurorët Ersan Qavolli dhe Ismet Ujkani.
Ndërsa, paneli hetimor i cili do të hetojë shkeljet e supozuara disiplinore të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë do të përbëhet nga prokurorët Rozelida Hasani, Dëshirë Jusaj dhe Agim Kuka, i cili u caktua kryesues. Ndërsa, anëtarë rezervë do të jenë prokurorët Petrit Kryeziu dhe Natasa Tanic.
Gjatë këtij takimi, KPK ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin e Lëndëve përmes Sistemit Elektronik (SMIL) në sistemin prokurorial.
Ndërsa me shumicë votash, KPK e ka kthyer në plotësim Rregulloren për Zgjedhjen dhe Përfundimin e Mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK dhe Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.
Për shkak të mos pajtimeve ndërmjet anëtarëve të KPK-së lidhur me disa çështje të trajtuara me këtë rregullore, u vendos që versioni i radhës i cili do të sillet për votim në këshill të përfshijë edhe propozimet e dhëna gjatë këtij takimi nga anëtarët e këshillit.
Anëtarët e KPK-së, prokurorët Jehona Grantolli dhe Agron Beka, kanë shprehur vërejtjet e tyre se nuk janë njoftuar asnjëherë për takimet e komisioneve e as të Komisionit për Çështje Normative, ku është diskutuar lidhur me këtë rregullore, e cila u kthye në plotësim.
KPK gjatë këtij takimi ka miratuar edhe Udhëzuesin Themelor të Referimit për Organet Para-Hetuese dhe Hetuese Disiplinore.
Vendim tjetër i marrë gjatë këtij takimi ishte edhe miratimi i Raportit të Komisionit për avancimin e një prokurori në Departamentin për të Mitur të Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Sipas anëtares së këtij komisioni, prokurores Merita Bina-Rugova, në këtë konkurs ka aplikuar vetëm një kandidat, prokurori Enis Gashi, i cili sipas saj, i ka plotësuar të gjitha kushtet për avancimin në këtë pozitë.
“Ka qenë vetëm një kandidat, i vetmi kandidat ka qenë Enis Gashi, prokuror nga dhjetori 2016. Nuk ka pas vendime disiplinore, gjatë intervistës ka qenë shumë kandidat serioz. Në çdo aspekt i ka plotësuar të gjitha kriteret. Propozojmë që të avancohet Enis Gashi për këtë detyrë”, ka thënë Bina-Rugova.
Ky avancim sipas kryesuesit të KPK-së do të realizohet nga data 1 janar 2022.
Pikat tjera të këtij takimi u vendos që të diskutohen me dyer të mbyllura. /BetimipërDrejtësi























