Fahrije Tërnava emërohet Sekretare e Përgjithshme e MPB-së
Sharr Travel

Fahrije Tërnava emërohet Sekretare e Përgjithshme e MPB-së

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 52-të të mbajtur të mërkurën, ka emëruar në pozitën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Fahrije Tërnavën, kandidate e cila sipas projektit të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar nuk e kishte kaluar as pragun minimal prej 70% të pikëve.

Projekti i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në ueb-faqen e saj zyrtare (OUTCOMES 21 | Kosovo Selection) ka publikuar njoftimin që asnjë nga kandidatët nuk është vlerësuar me 70% apo me më shumë pikë, raprton “Betimi për Drejtësi”.

Si rezultat, projekti ka njoftuar si ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po ashtu edhe kryeministrin Albin Kurti, që ky konkurs duhet të anulohej pasi që asnjë nga kandidatët nuk i ka pikët e nevojshme për t’u përzgjedhur në këtë pozitë.

Ministri Sveçla dhe kryeministri Kurti nuk kanë vepruar në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në mes të Kuvendit, Qeverisë dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, sipas së cilës pozitat e larta do të zgjidheshin në bazë të vlerësimit dhe rekomandimit të projektit britanez.

Përzgjedhja e një drejtuesi të lartë pa harmonizim me projektin britanez është vazhdimësi e qeverive të kaluara, të cilat në disa raste kanë përzgjedhur zyrtarë që nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara me rregullativën në fuqi.

Konkursi për Sekretar të MPB-së ishte hapur nga 23 qershori 2021 e deri më 8 korrik 2021, ndërsa Komisioni Shtetëror kishte publikuar më 29 shtator 2021 vlerësimin në bazë së cilit, Fahrije Tërnava ishte vlerësuar me 79.52 pikë, ndërsa kandidati i dytë me 74.34 pikë.

Në bazë të vlerësimit të publikuar, kandidati i dytë kishte arritur më shumë pikë në testin me shkrim, ndërsa në intervistë Fahrije Tërnava ishte vlerësuar me 8 pikë më shumë, në mënyrë që të dalë e para me pikë.

Në ekspozenë e prezantuar nga ministri Sveçla në mbledhjen e Qeverisë, nuk është përmendur fare që kjo pozitë është monitoruar nga projekti britanez dhe për të cilën asnjë kandidat nuk i ka plotësuar kriteret. /BetimipërDrejtësi