Agim Aliu: Ferizajn do ta fitoja përballë cilitdo kandidat
Me të përfunduar një mandat në drejtim të qytetit të Ferizajt, Agim Aliu arriti që në zgjedhjet lokale të zhvilluara në vjeshtën e vitit 2021 të marrë edhe një herë besimin e qytetarëve për të drejtuar këtë komunë.
Komuna e Ferizajt po drejtohet edhe njëherë nga Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës. Në një intervistë të dhënë për lajmi.net, Aliu ka renditur problematikat kyçe me të cilat po përballen qytetarët e kësaj komune.
Sipas tij një nga sfidat me të cilat janë përballur gjatë sezonit veror e që po vazhdon edhe tani është menaxhimi i mbeturinave si dhe sfida e arritjes së furnizimit me ujë të pijshëm.
E për premtimet e dhëna në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale Aliu theksoi se premtimet do t’i mbajë pa asnjë problem.
Gjithashtu në këtë mandat, Aliu deklaroi se fokus i veçantë do të jetë në arsim e shëndetësi, në arsim duke u ofruar sa më shumë pranë tregut të punës.
I pari i Ferizajt e ka cilësuar si një nga projektet më të mëdha atë të bashkimit të qytetit, e që sipas tij është zgjidhja urbane që është mbeten në afatgjatë zgjidhje infrastrukturore.
E kryetarin Aliu me gjasë nëse jo në politikë do të mund ta njihnim si jurist, saktësisht si avokat mbrojtës. Aliu theksoi se kjo ndoshta do të mund ta përfaqësonte karakterin e tij më së miri.
"Cila ishte arsyeja e fitores sime? Dëshmia e punës, guximi, integriteti moral e profesional, besimi i patundur i qytetarëve dhe ndarja e fatit me bashkëqytetarët duke funksionuar gjithëherë sipas parimit: “qytetari në radhë të parë”, pa dallime politike, përtej bindjeve ideologjike, politike apo librezave partiake, por duke qenë kryetar e shërbyes për të gjithë qytetarët, besoj janë kujtojë arsyet e fitores sonë historike në mandatin e dytë të qeverisjes me Komunën e Ferizajt. Arsyet që përmenda më lartë, janë më të fuqishme se çfarëdo kundërkandidature e gare zgjedhore, andaj kujtoj se qytetarët kanë folur qartë e me zë të lartë, duke dhënë besim të jashtëzakonshëm platformës sime politike e ekipit tim të dëshmuar për punë efikase në shërbim të qytetarëve", ka theksuar Aliu.























