Ish-sekretari i MI-së dhe tre zyrtarët tjerë sërish deklarohen të pafajshëm
Sharr Travel

Ish-sekretari i MI-së dhe tre zyrtarët tjerë sërish deklarohen të pafajshëm

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarët tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, janë deklaruar sërish të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur këtë të hënë, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari Reçica mohoi fajësinë për kryerjen e veprës penale të ushtrimit të ndikimit, atë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe veprën penale të shpëlarjes së parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në asnjërën prej tyre nuk ndihem fajtor” tha i akuzuari Reçica.

Fajësinë për veprat penale për të cilat u vihen në barrë nga Prokuroria Speciale e mohuan edhe tre të akuzuarit tjerë, Berisha, Limani dhe Emini.

Seanca planifikohej të vazhdohej me fjalën hyrëse të palëve në procedurë e pastaj me dëgjimin e dëshmitarëve që ishin ftuar në këtë seancë, por pas një propozimi të mbrojtësit të të akuzuarit Reçica, avokatit Florin Vërtopi, kjo seancë u ndërpre.

Avokati Vërtopi, tha se pasi ka shqyrtuar dosjet e këtij rasti, ka vërejtur se mungojnë deklaratat e dëmit ku palët të cilat e kanë konsideruar veten si të dëmtuar është dashur t’i paraqesin ato deklarata të dëmit.

Sipas tij, kjo deklaratë e dëmit është dashur të paraqitet në fazën e hetimeve ose më së largu 60 ditë pas ngritjes së aktakuzës.

Ai po ashtu ka përmendur edhe një rast nga praktika gjyqësore, ku Gjykata Themelore në Gjilan në një vendim të saj nuk e kishte konsideruar palë në procedurë një të dëmtuar, pasi nuk kishte paraqitur deklaratën e dëmit dhe se të njëjtën e kishte udhëzuar që kërkesën ta realizojë në procedurë kontestimore.

Në fund, avokati Vërtopi i ka propozuar gjykatës, që 6 operatorët ekonomik nuk duhet të konsiderohen palë në procedurë e që sipas tij i bie se nuk kanë të drejtë në fjalë hyrëse, parashtrim të pyetjeve dhe as në fjalë përfundimtare.

Ky propozim është mbështetur edhe nga avokatët e të akuzuarave të tjerë.

Mirëpo, propozimi i tillë është kundërshtuar nga prokurorja speciale, Habibe Salihu, ku sipas saj dispozitat ligjore përcaktojnë se pala mundë të parashtrojë kërkesën, por që jo detyrimisht duhet, ndërsa lidhur me praktikën gjyqësore ajo ka thënë se ka mijëra vendime që është vendosur në të kundërtën me rastin të cilin e potencoi avokati Vërtopi.

Një deklaratë e tillë e prokurores Salihu, është mbështetur edhe nga përfaqësuesi i Avokaturës Shtetërore, avokati Bedri Krasnqi.

Lidhur më këtë propozim të avokatit Vërtopi, janë deklaruar edhe palët e dëmtuara, të cilët përmenden në aktakuzë.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar “Pevlaku & Base Joos Krasniqi”, avokati Fazli Braha ka deklaruar se tërhiqen nga ndjekja penale dhe nuk paraqesin kërkesë pasurore juridike, pasi të njëjtit nuk e konsiderojnë veten si palë të dëmtuar.

Ndërsa, përfaqësuesi i OE “Sallahu”, avokati Daut Rudi ka thënë se e mbështesin fjalën e prokurores dhe i njëjti ka shtuar se edhe në fazën e hetimeve edhe në parashtrimin e kallëzimit penal kanë parashtruar kërkesën pasurore juridike.

Pas deklarimit të palëve prezente lidhur me propozimin e avokatit Vërtopi, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli tha se meqenëse palët tjera të dëmtuara nuk janë prezente për t’u deklaruar nuk mund të vendosë njëherë për propozimin e avokatit Vërtopi.

Lidhur me këtë propozim, ai tha se do të vendoset pasi të dëgjohen edhe palët tjera të dëmtuara që përmenden në aktakuzë.

Me këtë, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa të radhës janë caktuar më 24 dhe 25 shkurt 2022 dhe po ashtu është anuluar seanca e cila ishte planifikuar të mbahej më 11 janar.

Ndryshe, seancat e kaluara të cilat ishin caktuar nuk ishin mbajtur, pasi mbrojtësi i të akuzuarit Reçica, avokati Florin Vërtopi kishte kërkuar shtyrjen e seancave për shkak të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 shkurt 2021 e kishte njoftuar opinionin për ngritjen e aktakuzës ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe tre zyrtarëve të tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.