Rreth 13 mijë pacientë të shtrirë gjatë vitit të kaluar në spitalin e Pejës
Spitali i Pejës ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar, 12 mijë e 992 pacientë kanë qenë të shtrirë në këtë spital.
Sipas këtij spitali, kjo tregon që po bëhet punë e madhe në këtë spital.
“Të dhënat tregojnë për punën e madhe që kryhet në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, në shërbim të pacientëve që kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore. Gjatë vitit 2021 kanë qenë saktësisht 12,992 pacientë të shtrirë që së bashku kanë pasur 63,554 ditë shërimi apo mesatarisht një pacientë ka qëndruar i shtrirë për 4.9 ditë”, thuhet në një shkrim në rrjetin social Facebook.
Nga spitali i Pejës kanë thënë po ashtu se gjatë vitit 2021 janë kryer 180 mijë e 411 vizita specialistike apo mesatarisht 494 vizita në ditë.
Po ashtu janë kryer 12,222 dializa apo mesatarisht 39 dializa në ditë.
“Personeli i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë vazhdon të jetë i përkushtuar që të ofron secilën ndihmë shëndetësore që është në dispozicionin tonë për pacientët edhe në vijim”, thuhet tutje në njoftim.























