Ndizet Flakadani i “Flakës së Janarit 2022”
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe përfaqësues të familjes Mala e Berisha kanë ndezur sonte Flakadanin e “Flakës së Janarit 2022”, i cili do të shndrit deri në fund të manifestimit shumëkultruror “Flaka e Janarit”.
Një flakadan tjetër është ndezur edhe të busti i Rexhep Malës e Nuhi Berishës, në qendër të qytetit.
Me këtë rast, kryetari Hyseni, ka theksuar se ky manifestin mëton që të nderojë figurat e njohura shqiptare që në janarin e kuq të lirisë u sakrifikuan për këto ditë që ne sot i gëzojmë dhe për obligimet që ne i marrim në drejtimin e institucioneve.
“Jemi dyzet vjet nga ndarja e Kadri Zekës e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, ndërkaq 38 vjet nga ndarja e Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhe vitet shkojnë e në të njëjtën kohë kujtimet për veprën e këtyre figurave të njohura shqiptare mbetën në historinë tonë. E ne si qytet, në 31 vite të “Flakës së Janarit” mbajmë një manifestim mbarëkombëtar, që është përtej komunës, që përfaqëson vendin e kombin shqiptar dhe në të njëjtën kohë, për ne është nder dhe privilegj që të vazhdojmë me organizimin e një manifestimi të tillë”, tha Hyseni.
Në emër të familjes Mala e Berisha, përfaqësues të këtyre familjeve kanë shprehur falënderime për organizimin e këtij manifestimi dhe për pjesëmarrje.
Ndryshe, aktivitetet e ditës së parë, më 11 janar, filluan me homazhe për dëshmorët, për të vazhduar me vizitën në kazermën e Ushtrisë së Kosovësdhe ndezjen e Flakadanit të Flakës, para Teatrit të qytetit.
Flaka e Janarit vijon me një varg programesh, akademi, tryeza letrare, ekspozita deri më 31 janar. Manifestimi mbahet nën përkujdesjen e kryetarit Alban Hyseni.























