Shala: Byroja Shtetërore është objektivisht jo e pavarur
BKT
   Betimi për Drejtësi

Shala: Byroja Shtetërore është objektivisht jo e pavarur

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, ka thënë se sipas Projektligjit të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme objektivisht nuk mund të jetë e pavarur. Një gjë të tillë Shala e tha të martën, në konferencën për media ku është prezantuar analiza “Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme: problemet juridike të Projektligjit aktual”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Byroja udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm. Konform këtij Projektligji, drejtori i përgjithshëm është autoriteti kryesor për fillimin e verifikimit të pasurisë dhe fillimin e procedurave të konfiskimit. Problemi qëndron në atë se drejtori i përgjithshëm emërohet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi (me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë), pas propozimit të Komisionit mbikëqyrës të Kuvendit. Pra, ndër autoritetet kryesore për të implementuar qëllimin e Projektligjit emërohet lehtësisht nga partitë në pushtet. Shto këtu që mandati i drejtorit ka garancione tejet minimale, ku i njëjti mund të shkarkohet mbi bazën e pa precizuar sa duhet të “dështimit në përmbushjen e mandatit ligjor”. Në rrethana të tilla, është e pamundur që Byroja të mund të cilësohet si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e detyrave. Drejtori i përgjithshëm do varet tërësisht nga partitë në pushtet; përkatësisht, me ndërrimin e shumicës parlamentare në Kuvend, nën rregullimin aktual, do të ndërrojë edhe drejtori i përgjithshëm” ka theksuar Shala.

Për këtë, Shala ka thënë se në mënyrë që i gjithë procesi i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme të mos varet qenësisht nga një individ, do duhej që organi drejtues i Byrosë të jetë kolegjial dhe me përbërje pluraliste.


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi