Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet, shkak mungesa e buxhetit
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, ka thënë se Gjykata Komerciale nuk do të funksionalizohet për shkak të mungesës së buxhetit dhe kapacitetit, raporton Betimi për Drejtësi’.
“Me buxhetin e vitit 2022 dhe pozitat e lejuara Këshilli qysh sot e bën të njohur që Gjykata Komerciale nuk ka mundësi me u funksionalizu. Me këtë buxhet nuk janë përmbushë as parashikimet që i ka bo vetë Ministria e Drejtësisë, sepse me parashikimin Ministrisë së Drejtësisë, do duhej minimumi të ishin 94 pozita të lejume, ndërsa janë 44 pozita të lejume’, u shpreh Zogaj në mbledhjen e KGjK-së.
Ai shtoi se Ministria e Financave dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të reflektojnë në rishikimin e buxhetit për vitin 2022 në qershor.
Këto deklarime Zogaj i bëri pas njoftimit për aprovimin e buxhetit për vitin 2022 nga drejtori i Departamentit për Buxhet dhe Financa në Sekretariatin e KGjK-së, Vehbi Behluli.
“Me ligjin e buxhetit janë leju vetëm 94 pozita shtesë, prej tyre 44 pozita janë për Gjykatë Komerciale dhe 50 pozita për bashkëpunëtorë profesional, do të thotë 223 pozita nuk janë aprovuar prej asaj që kemi kërkuar. Me kërkesën e dytë buxhetore kemi kërkuar që 267 pozita të lejohen për vitin 2022, mirëpo nuk janë aprovuar”, ka thënë Behluli.
Ai tregoi se buxheti i kërkuar në total për këtë vit nga ana e Këshillit ka qenë 38 milion e 623 mijë e 576 euro, ndërsa buxheti i miratuar është 32 milion e 183 mijë e 896 euro, me një diferencë prej 6 milion e 439 mijë e 680 euro.
Drejtori Behluli shtoi se sipas kategorive ekonomike, buxheti për paga edhe shtesa është 25 milion e 86 mijë e 141 euro, për gjithsej 2271 pozita, për mallra dhe shërbime është 3 milionë e 933 e 505, shpenzime komunale janë 394 mijë e 250 euro, subvencione dhe transfere 500 mijë dhe për investime kapitale dy milionë e 220 mijë euro.
“Është kërku buxhet për gjithsej për 2,494 pozita me vlerë prej 30 milion e 649 mijë e 191, ndërsa pozita shtesë janë kërkuar 317 pozita, prej këtyre kanë qenë 149 pozita shtesë edhe 168 pozita të cilat janë shkurtuar në buxhetin e vitit 2020. Pra kemi kërkuar rikthimin e pozitave që janë shkurtuar me buxhetin e vitit 2020”, u shpreh ai.
Në lidhje me pozitat, kryesuesi Zogaj u shpreh se është hera e parë pas 20 viteve që nuk lejohet asnjë pozitë e re për administratën gjyqësore dhe sekretariatin gjyqësor, përveç 50 bashkëpunëtoreve të cilët rrjedhin nga Ligji për Gjykatat.
Zogaj ka njoftuar se janë 232 pozita të pambuluara sipas Ligjit për Gjykatat sa i përket bashkëpunëtorëve profesional.























