Shefi i vaksinimit në Pejë:Rritja e rasteve ka ndikuar për vaksinim
Shefi i Qendrës së vaksinimit dhe imunizimit në komunën e Pejës Dr. Dugagjin Sahatqiu, tha se gjatë javës së fundit është rritur dukshëm interesimi i qytetarëve të Pejës për marrjen e vaksinës anti-covid dhe asaj përforcuese.
Për çka kjo qendër është detyruar ta zgjas orarin e punës dhe të punojnë me dy ndërrime nga e Hëna në të Premte, pra, nga ora 07:00 deri në ora 19:00 dhe ditëve të vikendit nga ora 07:00 deri në ora 15:00.
Në një prononcim për Gazetën lokale të Pejës “ZARFI INFO”, Dr. Dugagjin Sahatqiu tha se brenda tre javëve të fundit janë vaksinuar 4503 qytetarë.
“Nga data 03 deri më 08 Janar janë vaksinuar 1081 qytetarë. Nga data 10 deri më 15 Janar janë vaksinuar 1585 qytetarë. Ndërkaq, në javën e fundit 17 deri më 22 Janar janë vaksinuar gjithsejtë 1837 qytetarë”, tha Dr. Sahatqiu.
Ai gjithashtu, bëri të ditur se rritja enorme e rasteve me covid në vend ka ndikuar në ndërgjegjësimin e popullatës, sidomos tek ata që nuk e kanë pranuar asnjë dozë të vaksinës.
“Rritja enorme e rasteve me covid në vend mesa duket ka ndikuar në ndërgjegjësimin e popullatës, andaj, edhe është rritur numri i personave që po vaksinohen me dozën e parë e që kanë hezituar të vaksinohen gjatë gjithë kësaj periudhe të vaksinimit. Në këtë të hëne nga 340 të të vaksinuarve 80 prej tyre kanë qenë me dozën e parë”, tha Shefi i Qendrës së vaksinimit dhe imunizimit në komunën e Pejës Dr. Dugagjin Sahatqiu.
Ndër të tjera, vlen të theksohet se ekipet mobile në terren po vazhdojnë aktivitetin e tyre human me vaksinimin e personave me nevoja të veçanta nëpër shtëpitë e tyre private, të nxënësve nëpër shkolla si dhe në Rezidencat e të moshuarve.























