Reid: ZPS nuk e ka e kryer operacionin në përputhje me standardet
   Betimi për Drejtësi

Reid: ZPS nuk e ka e kryer operacionin në përputhje me standardet

Dëshmitari ekspert Robert Reid, i cili ka punuar si shef i operacioneve në Zyrën e Prokurorit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), lidhur me operacionet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka thënë se nuk beson se kanë ndjekur praktikat më të mira të procedurave.

Ai tha se nuk mendon se ata kanë ndjekur procedurat dhe udhëzimet e punës që kanë përdorur në TPNJ.

“Nuk mendoj që operacioni është kryer në përputhje me standardet”, deklaroi Reid, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë në seancën e së hënës, në gjykimin ndaj Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit që ngarkohen për vepra penale të cilat lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Fillimisht, Reid ai ka konfirmuar se raporti mban nënshkrimin e tij dhe se nuk janë bërë ndryshime në raport që nga ajo kohë.

I njëjti ka thënë se momentalisht është i pensionuar, ndërsa puna e fundit që ka pasur ndërmjet tetorit 2019 dhe shtatorit 2020 ka qenë për mekanizmin ndërkombëtar për tribunalet kombëtare dhe prokurorin Broomers që punon në gjykatën e Ruandës.

Ai tha se fusha e ngushtë e specializimit të tij janë hetimet penale dhe se është ish-oficer policie dhe nga viti 1994 deri në gusht 2018 ka punuar në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, e më pas për mekanizimin për ish-tribunalet. Kurse, tha se në Australi ka punuar si detektiv.

Dëshmitari Reid tha se edhe në tribunalin për ish-Jugosllavinë kanë përdorur sistemin ZAE LAB.

“Gjithë mbledhja e informacionit kalonte nga ZAE LAB. Në fillim fare kishim një formular informacioni në letër ku jepeshin meta të dhënat dhe ndërkohë kjo u bë elektroike. Në këtë sistem ose meta të dhënave mund të jepej autori i dokumentit, klasifikimi, nëse ishte konfidencial e çfarë ishte dokumenti, p.sh deklarata e dokumentit X. Kur dorëzohej dokumenti njëherë vendosej vulosja manuale, pastaj u bë elektronik dhe kur futej vulosja skanohej”, ka thënë ai, duke shtuar se më pas futej dokumenti në arkivin e provave.

Tutje, ai tha se qasje në këtë sistem nuk mund të kishin nëse ishin në distancë dhe se e mban mend njëherë se ka qenë në Kosovë në vitin 1999 dhe se ka dërguar një ekip të lëvizshëm të merrnin dokumentacion.

“Dokumentet merreshin në Pejë për rastin në fjalë dhe më pas dërgoheshin në Shkup e pastaj në Hagë”, ka thënë ai, kurse shtoi se mund të ketë pasur përjashtime kur kanë pasur zyre në terren e janë futur në ZAE LAB, por se normalisht dërgoheshin në Hagë.

Dëshmitari tha se kishin afat të kufizuar sepse kishin ngritur aktakuzën ndaj Millosheviq dhe donin të merrnim sa më shumë dokumentacione që ishte e mundur.

Tutje, ai tha se disa herë ka qenë pjesëmarrës në operacione të kërkimit/ kontrollimit, ku përmendi disa raste, për të cilat tha se kanë marrë mijëra e mijëra dokumente.

Sipas tij, nuk e mban mend që ka dhënë ndonjëherë prova lidhur me zingjirin e ruajtjes, ku tutje para gjykatës ka treguar edhe llojet e procedurave të operimit dhe standardeve që kanë përdorur.

“Në momentin kur janë hartuar këto udhëzime dhe nënshkruar nga zv.prokurori, ne kemi prezantuar një kurs hyrës për të gjithë anëtarët e rinj, që i nënshtroheshin këtij trajnimi fillestar dhe anëtarët e zyrës jepnin trajnim sa i përket procedurave standarde të operimit. Kishte jurist që mund të jepnin trajnim për çështje të aktakuzave dhe elemente të krimit e tjerë”, ka thënë ai.

Tutje, shtoi se mendon se ka qenë viti 2000 kur kanë prezantuar këto trajnime fillestare e se një prokuror i ri që vinte duhet të bënte këtë kurs, e se të njëjtat janë botuar edhe në një libër të vogël, për t’i pasur me vete dhe shikuar kur t’i duheshin zyrtarëve.

“Një nga njerëzit që mbante leksionet gjatë këtij kursi informimi ishte shefi i njësisë së provave, çfarë kërkohej, format që kërkoheshin, formularët, si të paraqisje dëshminë”, tha dëshmitari.

Sa i përket operacioneve kërkim/sekuestrim, Reid tha se është përfshirë edhe në këto operacione, ku përmendi një nga misionet në vitin 1997.

“Misioni i dytë ishte më i komplikuar sepse kishim kërkuar ndihmën e forcës së NATOS dhe kërkuam ndihmë që të bënim një kontroll në stacionin e policisë në ndërtesën komunale dhe kjo ishte diçka e padëgjuar ndonjëherë dhe në disa vende në ushtri e quajtën këtë si mision shumë të veçantë por unë e mbështeta plotësisht”, tha ai.

Tutje, tha se të pajisur me një urdhër kërkimi nga gjykatësi kryen kontrollin që ishin koordinuar mirë me ushtrinë.

“Kërkuam ndërtesa të ndryshme, morëm mijëra mijëra, mund të them se ishin dhjetëra mijëra dokumente që morëm. Më pas u kthyem në shtabin e ushtrisë në Banjaluka, kur e bëmë invertarin ua dërguam autoriteteve dhe pastaj i futëm në kuti dëshmisë dhe i dërguam në zyrën në terren në Zagreb, dhe nga Zagrebi me veturë u sollën në Hagë”, tha Reid.

I njëjti deklaroi se në një mision me ekip të madh kanë marrë masa që të gjithë t’i njihnin procedurat dhe mënyrat e operimit të punës, e se para se të niseshin kanë pasur një seancë informuese me ushtrinë dhe stafin e tribunalit.

“Ishte një vendim ekipi që morëm, e pamë që shumë njerëz ishin akuzuar dhe ishin të paraburgosur dhe e dinim që kishim më shumë nevojë për provë dokumentare dhe informuam prokurorin dhe zëvendësprokurorin për atë që do të bënim, dhe ky i fundit e nënshkruante dhe na jepte miratimin të shkonim në Sarajevë apo Banjaluka”, tha tutje dëshmitari.

Sipas tij, zëvendësprokurori mund të ishte në këto informime dhe ishte i afërt me punën që bëni, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Robert Reid tha se zingjiri është bazik, përderisa vijnë dokumentet në dorën e tyre duhet të dinin ku ishin të njëjtat gjatë gjithë kohës, ku tha se për këtë kishin një oficer përgjegjës.

“Kur një grup dokumentesh merreshin, ai regjistronte, nuk regjistronte çdo faqe dhe dokument, por dosjen që ka titullin X apo Y dhe sigurohej që të shkonte në thesin apo dëshminë e provave që i jepej një numër dhe i shënonte në bllokun për regjistrin e inventarit dhe ishim në gjendje të thonim me saktësi se çka përmbante çdo qese apo dokument”, tha ai.

Tutje, tha se në gjyqin e Millosheviq gjykatësi kryesues urdhëroi që dokumentet origjinale të paraqiteshin si prova, e se në gjykime tjera gjykatësit mund të kërkonin të paraqiteshin vetëm si kopje.

Sipas tij, ishte detyrë e atyre që merreshin me prova që të siguroheshin që çdo dokument të regjistroj apo vendosej në kuti apo qese provash.

Ai tha se për rastin që po dëshmon, pasi u dërguan në Zagreb dokumentet, ishte një punonjës sigurie që gjithë natën ka ruajtur dokumentet e më pas një shofer e një oficer i kanë dërguar në Hagë, ku informacioni i jepej sipas zingjirit shefit të njësisë.

“Kishim zyrë në Zagreb dhe flinim aty një natë dhe të nesërmen herët në mëngjes në orën 6:00 niseshim me kamionin dhe pjesa tjetër e ekipit pastaj vinte më vonë”, ka thënë ai.

Kurse, tha se kur materiali shkonte në Hagë, bashkë me njësinë e provave shkarkoheshin kutitë nga kamioni.

“Në TPNJ kishim dy zyre të mëdha ku i mbanim këto dokumente, të gjitha i vendosnim aty dhe pastaj njësia e provave nënshkruanin dhe ndiqej zingjiri i ruajtjes. Pastaj, dokumentacioni merrej në ruajtjen e tyre, tani e kishte radhën njësia e provave të bënte punën e saj”, tha ai.

Sipas tij, njësia e provave kërkonte metadata dhe dikush i vendoste metadatat që tregonin kur ishin marrë dokumentet, çfarë dokumente ishin marrë, kush ishte autori, etj.

Tutje, tha se kur bënin kontrollin në Priedor, kishin një oficer të policisë serbe që ishte me ta dhe shihte se çfarë po merrej.

Ndër të tjera, dëshmitari Reid foli edhe për misionet në Kosovë.

“Në Kosovë nuk ishte aq keq puna, edhe pse edhe aty përfshimë ushtrinë, britanikët ishin forcë mbështetje që kishim marrëdhënie të mirë pune, serbët ishin larguar nga Kosova kështu që nuk hasëm rezistencë. E vetmja që kërkuam nga ushtria ishte se kur të vinim aty mos të kishte pajisje që nga pengonin ne dhe ushtria merrej me akomodimin, etj.”, tha Reid.

I pyetur nëse mendon se zyrtarja e ZPS-së, Zdenka Pumper si kryehetuese në një operacion kontrolli dhe hetimi duhej të ishte përfshirë në operacion, dëshmitari tha se nëse ka qenë kryehetuese duhet të ketë qenë e përfshirë edhe në operacionet tjera.

Kurse, tha se duhet të ekzistoj dokumentacion i tërësishëm i hetuesit që ka marrë pjesë në operacionet ku Pumper nuk ka marrë pjesë.

“Standardet operative diktojnë që do të ekzistonte një invertar dhe çudi që nuk është bërë një gjë e tillë, me gjithë dokumentet që janë marr. Në fillim ne kemi hyrë në këtë zonë dhe kemi parë vakum për shkak të situatës së sigurisë, por pas një viti a më shumë janë përmirësuar të gjitha kushtet e sigurisë, nuk kanë qenë aq të rrepta sa më parë dhe ka ndryshuar situata”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokati tha se dëshmitari po flet për situatë konflikti, por se në këtë rast ka pasur mundësi për organizim.

“Bëhet fjalë për sekuestrim, ngase nuk është bërë kontrolli i objektit. Nëse do të ishit personi që do të bënte këtë operacion, a nuk do të bënit kontroll”, ka pyetur avokati Toby Cadman.

Dëshmitari tha varet se a e di se çfarë po kërkon, nëse e di nuk bën kontroll dhe e merr, ndërkaq nëse nuk je i lumtur dhe nuk ke marrë të gjitha materialet që duhet atëherë duhet bëhet kontroll.

Tutje, avokati Cadman tha se nga ajo që ka parë në transkripte dhe deklarata, dëshmitari ka thënë se nuk ka parë që është bërë invertar, e dëshmitari konfirmoi këtë.

Reid tha se nuk ka parë që të ketë pasur qese të provave apo zingjir të ruajtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Hapet vetja për kritikat dhe më e rëndësishmja kur të shkohet para trupit gjykues, ka pikëpyetje në dokumentet e sekuestruara, ndërsa po të ndiqen udhëzuesit në zingjirin e ruajtjes, jeni në gjendje se të gjitha materialet janë marrë dhe është ruajtur integriteti i procesit”, tha Reid.

Dëshmitari tha se nga ajo që ka parë dhe ka lexuar nuk i duket se është zbatuar zingjiri i ruajtjes dhe se është habitur edhe me përpunimin pasi një grup i tyre nuk janë përpunuar në mënyrë kronologjike.

“Shoh se grupi 4 është përpunuar nga grupi 1”, ka thënë ai.

Tutje, tha se grupi 3 nuk e kupton a është përpunuar apo jo, apo është përpunuar me gjithë të tjerët, pasi është dokumentacion me numër tërësisht të ndryshëm.

Ndër të tjera, ai tha se nga metadatat mund të shihet menjëherë nëse dokumentacionet janë të klasifikuara apo jo.

“Nëse thoni se këto dokumente vijnë nga kjo zyre duhet të kontrollohet çdo faqe për të arritur në përfundimin se janë, kjo kërkon kohë, po me sa kuptohet bëhet fjalë për 3 mijë faqe jo 100 mijë, siç e kemi bërë në krahinën Bosnje, 3 mijë faqe, një ekip do të mund ta kishte përfunduar këtë punë për një kohë shumë të shkurtër”, ka thënë dëshmitari Reid.

I pyetur nga avokati, se pse ka thënë se duhet të shqyrtohet çdo faqe e grupit 4 dhe 1, dëshmitari u përgjigj: “Me sa kuptoj dokumentacioni i grupit 4 është marrë nga media dhe përbënte thelbin e dokumentacionit të 1 kështu sipas mendimit tim çdo dokument që është në 1 duhet shqyrtuar veç një nga një”.

Ai tha se nuk është dakord me Zdenka Pumper që në deklaratë të saj ka thënë se janë kontrolluar disa kampione.

“Nëse doni punën ta bëni mirë sidomos në rastin ku nuk ekziston mundësia e ekzaminimit të pavarur të dokumenteve, çdo faqe duhet kontrolluar për të arritur në përfundim”, ka thënë ai.

Ndërkaq, tha se vetëm Pumper mund të jep arsyen se pse është ndalur procedura e verifikimit, por se për mendimin e tij kontrollimi i tre mijë faqeve me dokumente të sekuestruara është punë që duhej të ishte kryer.

“Në paragrafin 24 keni bërë analizën e tre operacioneve me 8, 17 dhe 22, për sa i përket dokumenteve të dorëzimit, dy të parave, sipas mendimit tuaj kur sekuestrohet materiale i tij a duhet të ishte përfunduar puna me atë?”, ka pyetur avokati Cadman, e dëshmitari mohoi këtë.

Ai tha se pa një inventar, një copë letër thjeshtë thotë se janë marrë dokumente dhe ka një firmë, e nuk dihet se çfarë dokumente janë marrë, sa faqe janë marrë dhe nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këto dokumente dhe ku kanë shkuar.

Tutje, tha se këto nuk janë dokumente të përpunuara sipas zingjirit të ruajtjes.

I pyetur nga Cedman nëse do të kishte qenë e përshtatshme për planifikim e një misioni të tillë si ky apo për operacionin e kontrollit dhe sekuestrimit me 25 shtator që planifikimi të bëhej një ditë më parë, dëshmitari Reid tha se mund të bëhet edhe kështu e se me aq sa ka parë ai, nuk e di se si kanë përfunduar pretendimet që dokumentet ishin në zyre të OVL-UÇK dhe sa kohë përpara ZPS e dinte se ishin në zyrën e tyre.

“Duke pas udhëzime dhe procedura standarde, nuk është e vështirë kjo, ke procedurat dhe e vazhdon me punën”, tha dëshmitari Reid.

Ai tha se qëllimi kryesor i udhëzimeve apo procedurave standarde është që puna të jetë uniforme dhe si rezultat është e nevojshme të zbatohet që puna të jetë uniforme, si me datën 8 si me atë 17, etj.

 

Dëshmitari tha se është e mundur të incizohet apo fotografohet gjatë kryerjes së punës, pasi vlen më shumë se 1000 fjalë dhe është mbështetje e punës.

“Çfarë lloj procesi ekziston në momentin që sekuestrohen dokumente, a do te ishte praktikë standarde për personat e pranishëm që të pyeteshin personat?” ka pyetur Cadman.

Kurse, dëshmitari e konfirmoi këtë dhe tha se do të ishte pjesë standarde e punës të pyeteshin të dyshuarit.

“Unë personalisht do të doja të intervistoja këta persona, do të doja të kisha të dhënat e plota”, ka thënë dëshmitari Reid.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./ BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi