Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për shitblerje të narkotikëve
   Betimi për Drejtësi

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për shitblerje të narkotikëve

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurve A.H. dhe L.H.

Lajmi është bërë i ditur nga një komunikatë për media, nga Gjykata Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje, në bashkëkryerje, kanë poseduar pa autorizim substancë narkotike të llojit “kokainë”, të njëjtit me marrëveshje paraprake në mes veti substancën narkotike ia kanë shitur të pandehurit F. S., i cili ishte fshehur në një motel së bashku me të pandehurit e tjerë, të cilët gjenden në arrati.

Po ashtu, aty thuhet se të pandehurit A.H. (zyrtar policor) dhe L.H. me dashje në bashkëkryerje në kundërshtim me ligjin për armët kanë shitur një armë zjarri të pandehurit F.S.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën veprat penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe veprën penale “importi, eksporti furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në fund, bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurve, duke i marr për bazë këto që u thanë më lartë, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi