“Kuzhina Qendrore”në Prishtinë, shpërndanë rreth 500 shujta brenda ditës
Albulena Bytyqi
Ndërmarrja publike lokale “Kuzhina Qendrore” në Komunën e Prishtinës, për çdo ditë shpërndanë rreth 500 shujta të nxehta për persona me nevojë në dy qendra sociale për të moshuar, 250 në Lagjen “Aktash” dhe 250 në “Tophane”. Ndërsa qytetarët që shërbehen nga kjo kuzhinë shprehen të kënaqur me cilësinë e ushqimit.
Duke parë që rastet sociale po rriten çdo ditë e më shumë, personat me nevojë për çdo ditë gjatë gjithë javës presin ne radhë për të marrë ushqim për ta dhe familjet e tyre nga “Kuzhina Qendrore”, e cila menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Kjo kuzhinë shpërndan rreth 500 shujta të nxehta në ditë për persona me nevojë 7 ditë në javë. Kështu ka thënë për Radio Kosovën u.d i drejtorit në “Kuzhinën Qendrore”, Sokol Ukaj. Ai tha ushqimet që përgatiten janë kryesisht gjella të lëngshme dhe të nxehta.
Përveç të moshuarve që furnizohen në këto dy qendra me ushqim janë edhe personat me nevojë, d.m.th gjithsej shpërndahen 500 shujta të nxehta në ditë-250 shujta në “Aktash” dhe 250 në “Tohpahne”. Ata vijnë çdo ditë dhe marrin ushqimin për familjarët e tyre p.sh: Vjen një person, i ka 5-6 anëtarë të familjes, i merr për të gjithë dhe e çon ushqimin për në shtëpi.
Ndërsa qytetarët që marrin çdo ditë ushqimin me vete për ta dhe familjet e tyre thonë se janë të kënaqur me cilësinë e ushqimit që përgatitet në këtë kuzhinë.
“Qe një vit e gjysmë marr ushqimin në këtë kuzhinë. Të kënaqur jemi shumë. Në ora 4 vjen buka e marrim e shkojmë në shpi. Çdo ditë vij këtu e marr ushqimin për vete e familjen,marrim fasule, makarona, oriz, lakra etj. Jemi shumë të kënaqur edhe me cilësinë e ushqimit, përveç ushqimit na japin edhe pemë nga dy copa për person, marr për veti edhe për krejt familjen.
Nga Kuzhina Qendrore thonë se nëse ka rritje të rasteve të familjeve me nevojë për ushqim, ata janë të gatshëm ta shtojnë numrin e shujtave, në mënyrë që të përmbushin nevojat e gjithë qytetarëve në nevojë.























