Naser Kelmendi sërish deklarohet i pafajshëm për trafikim me narkotikë
   Betimi për Drejtësi

Naser Kelmendi sërish deklarohet i pafajshëm për trafikim me narkotikë

Në rigjykimin që ka filluar rishtaz, në seancën e së mërkurës, Naser Kelmendi, i akuzuar për trafikim me narkotikë, sërish është deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë nga organi i ndjekjes.

Kelmendi, më 1 shkurt 2018, ishte dënuar me gjashtë vjet burgim vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale të trafikimit me narkotikë, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi me pajtim të mbrojtjes, aktakuza u konsiderua e lexuar, Kelmendi deklaroi se nuk është ndjerë fajtor as në vitin 2018, kur është mbajtur gjykimi pranë trupit gjykues të EULEX-it, e se nuk ndjehet fajtor as tani.

Më pas, në fjalën e saj hyrëse, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Merita Bina- Rugova, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse nga shqyrtimet e mëparshme.

Kurse, avokati Besnik Berisha, ka thënë se mbetet pranë fjalës hyrëse të dhënë më parë, por ka shtuar se edhe 100 vite të bëhet gjykimi, në këtë çështje penale mund të ketë vetëm aktgjykim lirues.

“Sepse përkundër atyre që ishin pashpirt në këtë proces, po i referohem një dëshmitari kriminal, ligjvënësi e ka menduar mbrojtjen e të pafajshmëve nga dëshmitë e tilla, kjo saktësisht është paraparë në nenin 262, paragrafi 4 të Kodit të Procedurës Penale, i cili ndalon aktgjykimin dënues në mbështetje vetëm të dëshmisë së dëshmitarit bashkëpunues”, ka thënë ai.

Sipas tij, këtu është një dëshmitar kriminel ordiner për vrasje, kidnapime dhe kontrabandim me substanca narkotike.

“Që për të shpëtuar lëkurën e tij ka shkuar vullnetarisht në prokurori pasi ka dëgjuar se Naser Kelmendi gjoja qenka arrestuar në Dubai dhe tha se mund të ofrojë prova me kusht të zbutjes së dënimit të tij”, tha Berisha.

Tutje, ai ka deklaruar se është fat i mirë që vet kryetarja e trupit gjykues ka qenë pjesë e trupit gjykues kur është rrëzuar secila pikë e aktakuzës dhe madje edhe ato që ky dëshmitar synonte të bind gjykatën se gabimisht është dënuar.

Më pas, ai ka lexuar disa nga përgjigjet që i ka dhënë në gjykimin e zhvilluar pranë trupit gjykues të EULEX-it, dëshmitari të cilit i referohej.

“Pra, kjo është dëshmia e këtij dëshmitari për të cilën jemi këtu dhe prova e vetme që mbështetet kjo pikë e aktakuzës dhe prova e vetme që e konfirmon se kjo aktakuzë është absolutisht trillim dhe nuk ka asgjë më larg të vërtetës se kjo që shkruan këtu”, ka thënë ai.

Sipas avokatit Berisha, apeli i mbrojtjes është që sa më parë të procedohet me këtë gjykim sepse nuk duan të ketë parashkrim, por duan të marrin një aktgjykim dhe ai t’i kalojë të gjitha filtrat e gjykatave.

“Në mënyrë që të provohet se “bosi i narkokarteleve të kësaj pjese të Evropës”, ishte thjesht një person viktimë e dëshmisë së dy kriminelëve të cilët patën fatin që aktakuzën ta lexojnë në internet tri ditë para se e njëjta të dorëzohej në gjykatë dhe kështu të vinin e dëshmonin “të vërtetën” që besonin se do t’i shfajësonte ata në krimet që kishin kryer”, ka thënë ai.

Në fund të fjalës së tij hyrëse, avokati Berisha ka thënë se po bëhen gati 10 vite që Naser Kelmendi pret një aktgjykim të formës së prerë, kurse ky i fundit e ka mbështetur fjalën hyrëse të mbrojtësit të tij.

Pas fjalës hyrëse, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, ka pyetur prokuroren me cilat prova mendon prokuroria të argumentojë aktakuzën sipas veprës penale nga pika 8 e saj që është objekt shqyrtimi.

Ndërkaq, prokurorja Bina- Rugova, ka thënë se herën e fundit kur është mbajtur gjykimi në këtë rast, propozimi i prokurorisë ka qenë të dëgjohet rishtazi dëshmitari bashkëpunues K2.

“Në pamundësi që të realizohet kjo, propozojmë të lexohet deklarata e këtij dëshmitari nga gjykimi i mëparshëm në bazë të nenit 338, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, ka thënë ajo.

Tutje, ka propozuar të lexohet deklarata e dëshmitarit K1 dhe ekspertiza forenzike e Minisrisë së Punëve të Brendshme në Sarajeve, Departamenti i Ekspertizave Forenzike.

“Gjithashtu, propozojmë të lexohet transkripti i incizimit të intervistimit të dëshmitarit bashkëpunues K2 i datës 6 mars 2013, transkripti i intervistimit të dëshmitarit të njëjtë, i datës së njëjtë DW-A0035 në shoqatën automobilistike BIHAMC, ku i njëjti e ka marrë autorizimin me të cilin ka udhëtuar me veturën e cekur në Austri”, ka thënë ajo.

Gjithashtu, ka propozuar të lexohet edhe transkripti i intervistimit të dëshmitarit të njëjtë i datës së njëjtë DWA0036 në pompën Zofko në Zhirinicë.

“Ku i akuzuari dëshmitarit bashkëpunues i ka thënë që duhet të shkojë në Austri për të marrë mbulesën e rimorkios. Gjithashtu propozojmë që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve Jasmin Jadenac dhe Robert Leshdedaj në bazë të nenit të njëjtë të procedurës penale të Kosovës në pamundësi që të sigurohet prezenca e këtyre dëshmitarëve”, tha ajo.

Në anën tjetër, avokati Berisha deklaroi se 90% e këtyre provave janë jorelevante për pikën e aktakuzës për të cilën zhvillohet gjykimi.

“Për më tepër, ne obligohemi një aktgjykimi të Gjykatës së Apelit, i detyrohemi këtij aktgjykimi për të cilin çfarëdo vendimi i kësaj gjykate mund të na shpie në rigjykim sërish nëse nuk zbatohen këto rekomandime”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbrojtja nuk ka frikë nga asnjë provë e vetme që është këtu e as të reja që mund të ketë kudo sepse këto prova janë vlerësuar dhe janë peshuar dhe nga trupi gjykues i mëparshëm dhe janë konsideruar që nuk mbështesin fajësi.

Ai tha se mbrojtja ka vetëm një kërkesë e se ajo është që të shikohen video-incizimet e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 22 mars 2017, ku dëshmitari K2 është përgjigjur në pyetjet e parashtruara nga mbrojtja për pikën 8 të aktakuzës.

Lidhur me këtë propozim të mbrojtjes, prokurorja ka thënë se pajtohet me të, por se kërkon që të dëgjohet edhe pjesa kur dëshmitari bashkëpunues K2 është marrë në pyetje edhe nga ana e prokurorisë.

Më pas, trupi gjykues ka aprovuar edhe propozimet e organit të ndjekjes, edhe ato të mbrojtjes.

Ndryshe, pasi ka marrë edhe qëndrimet e prokurorisë e mbrojtjes, trupi gjykues ka marrë aktvendim që të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve, emrat e të cilave janë përmendur decidivisht në vendim të Apelit.

Në fund, gjykatësja Çerkini tha se e ndjen të nevojshme të bëjë një sqarim, sa i përket deklarimit të avokatit Berisha për tejzgjatjen e procedurave në këtë rast.

E njëjta elaboroi të gjitha veprimet dhe kërkesat e saj  nga seanca e fundit e 26 dhjetorit 2019, drejtuar Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me sigurimin e dëshmitarit K2.

Tutje, bëri të ditur se më 1 janar 2021, me anë të konkursit, ajo dhe anëtarja e trupit gjykues, Violeta Namani janë përzgjedhur si gjykatëse në Departamentin Special dhe lënda ka mbetur në Departamentin për Krime të Rënda.

“Lënda ka mbet në DKR, prandaj ka ardhë kjo zhagitje, por sërish është kthyer te ne dhe ja ku jemi”, tha ajo.

Ndryshe, gjatë kësaj seance, gjykimi ka filluar rishtazi meqenëse kanë kaluar mbi tre muaj nga mbajtja e seancës së fundit, si dhe është bërë ndryshimi i anëtarëve të trupit gjykues.

Seanca e radhës prite të mbahet më 28 shkurt 2022, si dhe janë caktuar edhe tre seanca gjatë muajit mars e dy për muajin prill.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për trafikim me narkotikë.

Ndërsa, ishte shpallur i pafajshëm për veprat tjera penale që lidhen me vrasjen e Ramiz Delaliqit, për krim të organizuar si dhe për pikat tjera të aktakuzës, që lidhen me shitjen dhe prodhimin e substancave narkotike.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, kryetarja e trupit gjykues, Anna Adamska Galant, kishte thënë se gjykata kishte vendosur ta lirojë nga këto pika, pasi nuk është provuar se Naser Kelmendi ka kryer këto vepra penale. Sipas saj, gjykata kishte vlerësuar se nuk kishte prova për të mbështetur akuzën për vrasje.

Në dënimin e shqiptuar, atij i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa ishte obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale pjesërisht në vlerë prej 5 mijë euro.

Gjykata kishte vendosur ta caktojë edhe masën e paraburgimit ndaj tashmë të dënuarit Kelmendi, pasi sipas saj, dënimi është mbi pesë vjet.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë në korrik të vitit 2014, kundër Naser Kelmendit, të cilin e ngarkonte me 9 pika të aktakuzës.

Kelmendi, i cili është gjykuar nga një trup gjykues me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it, ishte arrestuar në maj të vitit 2013, ndërsa nga ajo kohë kishte qëndruar në paraburgim deri më 28 shkurt të viti 2017, kur iu zëvendësua kjo masë me atë të arrestit shtëpiak.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte kthyer prapë në paraburgim, ndërsa më 17 mars të vitit 2017, ishte liruar nga paraburgimi përsëri nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ndaj këtij vendimi ishte ankuar prokurori, ndërsa Gjykata e Apelit e kishte miratuar ankesën e tij duke e kthyer në paraburgim prapë të akuzuarin Kelmendi.

Më vonë, Kelmendi, në qershor të vitit 2017, prapë është liruar nga paraburgimi për tu mbrojtur në liri, gjë që e bën edhe tani pasi që ndaj tij, nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale, Naser Kelmendin e ka ngarkuar me veprat penale: krim i organizuar, vrasje e rëndë, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike, të përmbledhura në 9 pika të aktakuzës.

Prokuroria pretendonte se Kelmendi në bashkëkryerje me Fahrudin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Milovan Jeremiqin, Lubisha Buhan “Çume”, Milan Ostojiqin, “Sandokanin”, Naser Oriqin, Senad Sahinpasiqin, Nebojsha Vukomanoviqin, Raseta Stranjan, Benjamin Halimoviqin, Edin Ahmetshahiqin dhe të tjerë, ka organizuar, formuar, mbikëqyrur, udhëhequr dhe apo drejtuar grupin kriminal të organizuar dhe të strukturuar, apo ka marrë pjesë aktivisht në këtë grup të organizuar kriminal që kanë kontribuar në kryerjen e krimeve të rënda, e që veçohet vrasja e “kryegangsterit rival” Ramiz Delaliq- “Çelo”, në vitin 2007.

Për vrasjen e Delaliqit, sipas prokurorisë, Naser Kelmendi, në vitin 2006, ka bërë një sërë takimesh në Sarajevë, me Fahredin Radonçiqin, Ekrem Lekiqin, Muhamed Ali Gashin, Senad Sahipasiqin, Naser Oriqin dhe me të tjerë, për  të planifikuar dhe për të bërë komplotin dhe për të vrarë, Ramiz Delaliq.

Prokuroria pretendonte se si rezultat i këtyre takimeve të organizuara, Naser Kelmendi është ofruar dhe ka pranuar përgjegjësi për të identifikuar dhe punësuar varësit që do të kryenin vrasjen e Ramiz Delaliqit, për kryerjen e kësaj vrasje prokuroria ka thënë se Kelmendi ka angazhuar me pagesë Strahinja Raseta dhe Nebojsha Vukomanoviq nga Serbia, për të vrarë Ramiz Delaliqin, më 27 qershor 2007 në Sarajevë rreth orës 23:30.

Tutje, sipas aktakuzës, së paku nga viti 2000 deri në 2012, Naser Kelmendi si kreu dhe drejtuesi i grupit të gjerë kriminal të strukturuar dhe të organizuar, ka menaxhuar dhe drejtuar blerjen, përgatitjen, transportin, shitjen dhe shpërndarjen e një sasie të madhe heroine, ekstazie, spind dhe droga të tjera, nëpërmjet një rrjeti të organizuar kriminal të themeluar mirë, që përfshinte dëshmitarin K1- përgjegjës për menaxhimin dhe përzierjen e narkotikëve për Naser Kelmendin, K2, i cili ka udhëhequr dërgesat ndërmjet Turqisë, rajonit të Ballkanit dhe Holandës, K3-shpërndarës i drogës në Beograd, Liridon Kelmendin, menaxher i shpërndarjes së drogës për në Serbi dhe për në vendet tjera evropiane, Mehanoviq Haris – vozitës dhe truprojë, Sead Akeliq – vozitës, Zelko Boziq – automekanik, i cili krijonte hapësira të fshehta në automjete për drogat, Hakija Kreliq që mbante kontakte në Turqi, Ilir Kastrati – që mbante kontakte në Turqi, Asmir Kalac – koordinator i dërgesave të drogës, dhe të tjerë.

Prokuroria pretendon se përmes rrugëve të koordinuara mirë për trafikimin e narkotikëve, dërgesave të mëdha me ekstazi janë marrë nga Holanda dhe janë transportuar për në Bosnjë- Hercegovinë dhe Kosovë, ku janë ripaketuar dhe transportuar më tej për në Stamboll dhe Droga e marrë në Stamboll u transportua përsëri përmes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës dhe më pas u dërgua dhe iu shit tregtarëve dhe shpërndarësve në të gjithë Evropën.

Naser Kelmendi po akuzohet se në bashkëkryerje me Kl, K2, K3, Liridon Kelmendi, Haris Mehanovic, Sead Akeljic, Zeljko  Bozic, Hakija  Krlic, Iljier Kastrati, Asm_jr Kalac dhe të tjerët pa autorizim, kanë kultivuar, prodhuar, përpunuan ose përgatiten substance, të deklaruara si droga të rrezikshme narkotike me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit të tyre për shitje. 


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi