RMV, vdekjet nga Covid, institucionet rishqyrtojnë protokollet
Rajoni dhe Bota

RMV, vdekjet nga Covid, institucionet rishqyrtojnë protokollet

Komisioni për sëmundje ngjitëse do të shqyrtojë ndryshimin e protokolleve sa i përket evidentimit të numrit të personave të vdekur të cilët regjistrohen si viktima kundër Kovid19. Kjo nënkupton që jo secili pacient i vdekur të testohet për Kovid dhe të hyjë në listën e të vdekurve si pasojë e Kovidit. Nga dikasteri i Shëndetësisë për ALSAT thonë se një çështje e tillë do të shqyrtohet pas ndryshimeve të cilat pritet të bëhen në përbërjen e anëtarësisë së Komisionit për sëmundje ngjitëse.

“KSI ndjek nga afër të gjithë aspektet dhe përvojat dhe në bazë të mendimit profesional të ekspertëve tanë nga fusha të ndryshme do t’i qasemi kësaj çështjeje. Vetë Komisioni, siç e kemi paralajmëruar do të plotësohet në mënyrë shtesë me profesionistë tjerë dhe jemi të bindur se qasja ndaj kësaj çështjeje dhe të gjitha aspekteve tjera do të vendosen duke ndjekur gjendjen epidemiologjike dhe përvojat e ekspertëve”, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe në këtë valë të pestë të virusit korona, Maqedonia e Veriut vazhdon të regjistroj numër më të madh të viktimave në bazë ditore, krahasuar me thuajse gjitha vendet e rajonit. Derisa vendet tjera regjistrojnë 0 viktima apo numër të ulët, Maqedonia ditë me radhë regjistron numra dy shifror të viktimave të virusit korona.

SHQIPËRI
26 janar, nga 5779 testime, 1562 qytetarë të infektuar, 6 humbje jete dhe 1642 të shëruar
25 janar, nga 7067 testime, 2156 qytetarë të infektuar, 5 humbje jete dhe 1685 të shëruar
24 janar, 3667 testime, 789 qytetarë të infektuar, 7 humbje jete dhe 1824 të shëruar

KOSOVË
26 janar, nga 16,307 testime, 4397 raste pozitive, 0 vdekje dhe 607 të shëruar
25 janar, nga 11,144 testime, 2707 raste pozitive, 2 vdekje dhe 556 të shëruar
24 janar, nga 8416 testime, 2243 raste pozitive, 2 vdekje dhe 465 të shëruar

MAQEDONI E VERIUT
25 janar, nga 6119 testime, 2019 raste pozitive , 19 viktima dhe 973 të shëruar
24 janar, nga 6193 testime, 2341 raste pozitive, 26 viktima dhe 1470 të shëruar
23 janar, nga 3044 testime, 718 raste pozitive, 22 viktima dhe 1244 të shëruar

Ekspertët thonë se ka një sërë faktorësh të cilët ndikojnë në numrin e lartë të vdekjeve. Sipas mikrobiologut Nikolla Panovski, para së gjithash MSH duhet të bëj një analizë të detajuar e cila do të zbulojë shkaqet e vdekshmërisë së lartë, me qëllim që të mund t’i qasemi zgjidhjes së problemit.

“Tek ne regjistrohen edhe rastet të cilat vdesin nga Kovidi edhe rastet me Kovid, dmth nëse pacienti ka pasur infarkt ndërsa ka PCR pozitiv e evidentojnë si viktimë e Kovidit. Kjo duhet të zbulohet se nga çfarë është vdekja. 2:35 Duhet të analizohet kjo cështje, në fakt duhej deri tash të analizohej, nëse kjo është problem duhet të thirren ekspertë nga vende tjera ku zbatohet diçka e tillë, por kjo për fat të keq nuk po bëhet tek ne. Përballemi me jo transparencë, mbyllje të institucioneve dhe kështu është duke vazhduar”, tha Nikolla Panovski, ekspert.

Realizimin e një analize të detajuar mbi shkaqet e vdekjeve, ish ministri i Shëndetësisë e ka paralajmëruar disa herë por e njëjta nuk është bërë. Ajo çfarë deri më tash dihet është se shumica e rasteve të cilat përfundojnë me vdekje dhe janë pozitive me Kovid19 shoqërohen edhe me disa sëmundje të tjera kronike. Po ashtu dihet se deri më tash më shumë se gjysma e rasteve të cilat përfundojnë tragjikisht nga Kovid19 janë kryesisht persona të pa vaksinuar kundër virusit korona./ Alsat.mk