Prishtina me qendër të re për teste të shpejta për COVID-19
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina nga e shtuna e 29 janarit do të bëhet me qendër të re për kryerjen e testeve të shpejta antigjene për COVID-19.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bujar Gashi.
“Në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, nga nesër datë 29.01.2022 do të hapin edhe një qendër testimi me teste të shpejta antigjenike”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se Qendra e Mjekësisë Familjare nr. 4 në ‘Xhemajl Ibishi’ do të ofrojë shërbimin e testimit për Covid-19”.
Gashi tutje ka shkruar se ky vendim është marrë për të ulur numrin e pritjeve te qendra që ndodhet në afërsi të Mensës së Studentëve.
Ndërsa qendra e re do punojë shtatë ditë të javës nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 16 e pasdites.