Hudhet poshtë aktakuza ndaj shtetasit algjerian
   Betimi për Drejtësi

Hudhet poshtë aktakuza ndaj shtetasit algjerian

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e avokatit Arben Biblekaj, për hudhje të aktakuzës ndaj të mbrojturit të tij, të akuzuarit Yassin Benyoss.

Shtetasi algjerian, Benyoss akuzohej se hyri dhunshëm në një lokal në Prishtinë, ku nga aty thuhej se ka vjedhur një birrë dhe i njëjti është parë edhe nga kamerat e sigurisë duke e mbushur gotën e që më pas është larguar nga vendi i ngjarjes pa marrë asgjë, raporton  “Betimi për Drejtësi”.

Për këto veprime, prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Benyoss se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka pushuar procedurën penale me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Tutje, në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se gjykata ka vlerësuar se në rastin konkret, nuk ka prova që të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka depërtuar me forcë në hapësirat e mbyllura, pasi që sipas dëshmisë së dëshmitarit, dritarja e tarracës atë natë ishte e hapur dhe po ashtu sipas deklarimit të dëshmitarit pronari i lokalit kishte deklaruar se vet e ka lënë të hapur.

Po ashtu, sipas këtij vendimi rezulton se gjykata ka vlerësuar se konsumimi i birrës, nuk mund të konsiderohet vjedhje as në kuptim të nenit 315 të KPRK-së, sepse për shkak të vlerës së një gote birrë, rrethanave personale të të pandehurit, i cili është refugjat transit dhe i gjendur në një vend të panjohur për të dhe pa strehim e kushte elementare për jetese, pasoja e veprës penale është e padëmshme dhe e parëndësishme.

“E që në kuptim të nenit 11 të KPRK-së paraqet vepër të rëndësisë së vogël dhe nuk konsiderohet vepër penale”, thuhet tutje në vendim.

Sipas këtij vendimi, vepra penale vjedhje e rëndë merr formë të kualifikuar të vjedhjes nga neni 313 të KPRK-së për shkak të mënyrës dhe rrethanave të kryerjes, për shkak të vlerës së sendit të luajtshëm të vjedhur ose për shkak të vetive specifike të sendit ose për shkak se sendi shërben për qëllime të caktuara, pra për tu konsideruar se është kryer vjedhja e rëndë si parakusht duhet të plotësohen elementet e veprës penale vjedhja sipas nenit 313 të KPRK-së, e pastaj kjo vepër të merr cilësim të kualifikuar për shkak të rrethanave.

“Prandaj, përderisa nga provat në të cilat bazohet aktakuza nuk është vërtetuar as tentim për vjedhje sipas nenit 313 të KPRK-së, nuk mund të vije në shprehje vjedhja e rëndë në tentativë nga neni 315, sepse në veprimet e të pandehurit nuk është ndërmarrë asnjë veprim me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj”, thuhet tutje në arsyetimin e këtij vendimi.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 tetor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i pandehuri Yassin Benyoss nga Algjeria akuzohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Aktakuza thotë se më 22 shtator 2021 në rrugën “28 Nëntori” në Lagjen Dardania në Prishtinë më saktësisht në lokalin “Marko Pollo” i pandehuri Benyoss me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë, ka hapur dhunshëm dritaren e tarracës së lokalit pronë e të dëmtuarit Donat Meholli duke depërtuar brenda dhe ka vjedhur birrë “Kriko”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se veprimi i pandehurit shihet edhe në kamerat e sigurisë duke e mbushur gotën dhe pasi është vërejtur nga sigurimi i lokalit i njëjti është larguar nga vendi i ngjarjes pa marr asgjë.

Me këtë, i pandehuri Benyoss  akuzohej se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi