Pjetër Shalës i vazhdohet masa e paraburgimit
   Betimi për Drejtësi

Pjetër Shalës i vazhdohet masa e paraburgimit

Gjykatësi i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) ka vendosur t’ia vazhdojë masën e paraburgimit Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.

Sipas vendimit, gjykatësi i procedurës paraprake ka arritur në përfundim se ka ende rreziqe të cilat ekzistojnë në raport me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), për shkak të së cilave nevojitet vazhdimi i paraburgimit ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykatësi i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që z. Shala do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Gjykatës Speciale , ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar dëshmi në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe/ose janë për shkak të paraqiten para Dhomave të Specializuara, vazhdojnë të ekzistojnë” thuhet në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi