ZPS dorëzon dosjen paraprake dhe listat e provave në rastin e Shalës
   Betimi për Drejtësi

ZPS dorëzon dosjen paraprake dhe listat e provave në rastin e Shalës

Prokurori i Specializuar, me 28 janar 2022, ka dorëzuar dosjen paraprake dhe listat e dëshmitarëve dhe provave në rastin ku Pjetër Shala po akuzohet për krime lufte.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

“Më 28 janar 2022, Prokurori i Specializuar dorëzoi, si rreptësishtë konfidenciale dhe ex-parte, dosjen paraprake dhe listat e dëshmitarëve dhe të provave në rastin kundër Pjetër Shalës”, thuhet në këtë njoftim.

Ndryshe, Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. 


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi