Fatmir Humolli dëshmon sot në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë
   Betimi për Drejtësi

Fatmir Humolli dëshmon sot në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë

Në seancën e së martës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës, do të dëshmojë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli Por, para paraqitjes së tij në sallë polemika janë zhvilluar mes mbrojtjes e prokurorisë për të.

Mbrojtja ka pretenduar se dëshmitari ka qenë në listën e tyre të dëshmitarëve, e prokuroria ua ka marrë këtë dëshmitar.

Avokati i Mustafës, Julius Von Bone, ka deklaruar se në prill të vitit që shkoi dëshmitari është paraqitur nga ekipi i mbrojtjes si dëshmitar i mbrojtjes dhe nuk u pëlqen sjellja e prokurorisë që u ka marrë dëshmitarin mbrojtjes.

“Nuk është sjellje e mirë dhe nuk kemi dhënë pëlqim për këtë. Prandaj, do të donim shumë të dinim duke qenë se po afrohen edhe afatet, cila do të jetë pasoja e kësaj për çdo angazhim në të ardhmen sepse ne parashikojmë që ekziston mundësia që kjo mund të ndodh sërish dhe do të donim të dinim çfarë këndvështrimi mban trupi gjykues për këtë çështje”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbrojtja ka intervistuar Humollin dhe kanë dhënë njoftim atëherë sa i takon alibisë nga mbrojtja dhe mendojnë se nga kjo perspektivë nuk është një mënyrë e mirë nga ana e prokurorisë duke ua marrë dëshmitarin e mbrojtjes dhe duke e futur në dëshmitar të prokurorisë.

“Zoti Humolli mbetet në listën tonë të dëshmitarëve të mbrojtjes, në një moment do të bëjmë seancë përgatitore të mbrojtjes dhe do të donim të dinim cila do të ishte pasoja e faktit që prokuroria është sjell kështu për këtë çështje”, tha avokati Von Bone.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia ka kërkuar nga avokati t’i tregoj me saktësi çka do të thotë me pyetjen se cilat janë pasojat për të ardhmen.

“Kjo çështje gjyqësore nuk është e izoluar, është krejt e pazakontë që prokurori të marrë një dëshmitar të mbrojtjes. Nuk e dimë cila do të jetë pasoja e këtij fakti, nuk besojmë se kjo është mënyra e duhur se si duhet të sillet prokuroria. Deshëm që të siguroheshim që trupi gjykues të jetë në dijeni të këtij problemi dhe tu bëjnë me dije që nuk jemi në pajtim me këtë sjellje dhe duam të dimë cili është mendimi i trupit gjykues”, ka thënë Von Bone.

Ai ka pyetur se çka do të thoshte kjo nëse ndonjë dëshmitar tjetër do të dal.

“Ne e dimë që nuk është mbyllur ende paraqitja e provave nga prokuroria edhe pse kemi një ide për këtë, por cila do të ishte pasoja e kësaj sjellje”, tha ai.

E gjykatësja tha se gjithçka që ka të bëj me dëshmitarët që mbrojtja do të thërras për paraqitjen e provave nga mbrojtja do të diskutohet në konferencën përgatitore të mbrojtjes, andaj këtë temë tha se do ta linte për atë moment.

“Dhe ne jemi në dijeni që ky ishte dëshmitar i mbrojtjes dhe vazhdon të jetë dëshmitar i mbrojtjes. Nuk do të doja të thosha shumë për këtë, do ta shtyjmë për më vonë këtë diskutim në konferencën përgatitore të mbrojtjes”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, prokurori Cezary Mihailzcuk, ka thënë se ka disa sqarime dhe mbase mund edhe të ndihmoj me ndonjë informacion.

“Sa për sqarim, mbrojtja ka rënë dakord që ky dëshmitar të intervistohet nga ZPS para se ta bënim këtë diskutim, kemi qenë në kontakt me avokatin e mbrojtjes, ai tha se s’ka problem që ZPS ta intervistoj dhe ne ramë dakord. ZPS ka kryer këtë intervistë duke respektuar ligjin dhe rregulloren, e kemi regjistruar intervistën me audio dhe video dhe ja kemi nxjerrë trupit gjykues dhe mbrojtjes”, ka thënë ai.

Sipas tij, dëshmitari që nga 13 korrik 2021 është përfshirë në listën e ZPS-së dhe rregullisht kanë vënë emrin e tij, si me 23 nëntor si dëshmitar që e kanë propozuar në seancat e ardhshme.

“Detyrimi i dëshmitarit është të thotë të vërtetën pavarësisht cila është pala që e merr në pyetje, të dyja palëve do tu jepet mundësia që të nxjerrin dëshmi që kanë lidhje me provat që do të paraqesin. Sa i takon aspektit procedural se si ta trajtojmë këtë dëshmitar, mund të propozojmë një zgjidhje”, ka thënë ai.

Tutje, prokurori tha se sot Humolli paraqitet si dëshmitar i ZPS dhe do t’i bëjnë pyetje, e pastaj mbrojtja mund të mos ketë asnjë kufizim kohor sa i takon kundërpyetjeve që do të bëj.

“Pastaj, mbrojtja mund të mos jetë në gjendje të nxjerr provat që dëshiron të paraqes, por ne si prokurori nuk do të ishim kundër pyetjeve orientuese që mund t’ia bëj mbrojtja. Kjo do të ishte kundërshtim vetëm për pyetjet që do të cenonin integritetin e procedurës”, ka thënë ai.

Sipas tij, mbrojtja mund ta thërras sërish dëshmitarin kur paraqet çështjen e saj.

Kurse, avokati Von Bone, tha se nuk është hera e parë kjo, që me ose pa pëlqimin e tyre, prokuroria kontakton dëshmitarë të mbrojtjes. Ai deklaroi se më tutje për këtë temë do të diskutoj në konferencën për përgatitjen e mbrojtjes.

Prokurori tha se në diskutimet me avokatin Von Bone nuk kanë diskutuar kurrë për përmbajtjen e pyetjeve të tyre dhe objektin e ekzaminimit që do ta bënin me dëshmitarin Humolli pasi në momentin që e përfundojnë ia nxjerrin transkriptin palëve.

“Nuk është siç po thotë avokati se ja kemi nxjerr objektin”, ka thënë prokurori.

Von Bone tha se nuk kanë marrë sqarim për këtë çështje dhe kanë thënë se nuk do të japin pëlqimin pasi nuk kanë sqarim.

“Prokuroria se pati problem dhe vazhduan”, ka thënë ndër të tjera ai.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi