Prokuroria pushon hetimet ndaj Avni Ademajt
   Betimi për Drejtësi

Prokuroria pushon hetimet ndaj Avni Ademajt

Prokuroria e Pejës ka pushuar hetimet ndaj Avni Ademajt, i cili dyshohej për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Ademaj dyshohej se mbrëmjen e 8 shtatorit 2021 ka vrarë Blerand Kadrijajn, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit më 2017 nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga ajo ngjarje kishte mbetur i vrarë edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Pejës, Astrit Ademaj, kurse Avni Ademaj kishte mbetur i plagosur.

Sipas njoftimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se pas hetimeve të ndërmarra, Prokuroria e Pejës nuk ka gjetur se Avni Ademaj kishte kryer veprat për të cilat ishte dyshuar.

“Kemi pushuar hetimet e filluara më dt.09.09.2021, në çështjen penale kundër Avni Ademaj nga Peja, Vrasje nga neni 172 dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të KPRK-së, ngase nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm që personi konkret i ka kryer veprat e tilla penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Pejës.

Ndryshe, më 10 shtator 2021, Gjykata e Pejës kishte caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Avni Ademaj.

Caktimi i masës së paraburgimit u bë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, në të cilën thuhej se ekziston rrezik real i arratisjes së të dyshuarit, e cila do të pengonte zhvillimin normal të hetimeve.

Lajmi për caktimin e kësaj masë u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata Themelore në Pejës, ku thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për ta cilat dyshohej.

Ndërsa në nëntor 2021, Ademaj ishte liruar nga paraburgimi dhe ndaj tij është caktuar masa e lajmërimit në stacionin policor. Një gjë të tillë e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti.

Ndryshe, Avni Ademaj dyshohej se ka kryer veprën penale “Vrasje”  nga neni 172 të Kodit Penal dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas aktvendimit për fillim të hetimeve, të siguruar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi”, prokuroria kishte mbledhur prova se viktimat ishin takuar së bashku në lokal, ku gjatë bisedës kishin nxjerrë armët dhe kishin futur fishekët në tytë.

“Pasi viktimat ishin takuar së bashku, prezent kishin qenë edhe i pandehuri Avni dhe dëshmitari NN, gjatë bisedës në mes të dy viktimave, fillon të acarohet situata, ashtu që të dy viktimat përnjëherë i nxjerrin armët, i fusin fishekët në tytë dhe prapë vazhdojnë të fjalosen”, thuhej në aktvendim.

Aty thuhej se i pandehuri Avni Ademaj ia kishte marrë armën tani të ndjerit Astrit Ademaj dhe kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit Blerand Kadrijaj.

“Për një moment gjersa viktimat po fjaloseshin, i pandehuri Avni ia merr armën viktimës Astrit dhe me të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të të ndjerit Blerand, i cili po ashtu në të njëjtën kohë shtie edhe ky në drejtim të viktimës Astrit dhe të pandehurit Avni. Si pasojë e këtyre goditjeve të pandehurit Avni, është privuar nga jeta viktima Blerand, i cili ka mbetur i vrarë në vend të ngjarjes, kurse viktima Astrit ka mbetur i vdekur nga të shtënat e të ndjerit Blerand, e po ashtu edhe i pandehuri Avni ka marrë lëndime në shuplakën e dorës së majtë”, thuhetjnë aktvendimin e prokurorisë. 


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi