Kërkohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj Molliqajt dhe Megjuanit
   Betimi për Drejtësi

Kërkohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj Molliqajt dhe Megjuanit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj dhe aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave të ndaluar, në drejtim të veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, të paraparë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Ulaj.

Ndryshe, Molliqaj dhe Megjuani gjenden nën masën e ndalimit, pasi të njëjtit u arrestuan të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në njoftimin e policisë thuhej se i dyshuari Megjuani u arrestua nën dyshimin e arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar të ndodhur në protestën e 29 janarit 2022. Ndërsa, sa i përket Molliqajt, policia njoftoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti është përfshirë në rastin e sulmit ndaj personit zyrtar në protestën e  29 janarit 2022.

Po ashtu, sipas policisë, Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit dhe policia nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

Në ndërkohë, policia publikoi edhe dy ftesat/vërtetimet mbi dorëzimin e thirrjes që ia kishte dërguar Molliqajt, për t’u paraqitur në stacion policor. /BetimipërDrejtësi


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi