Mbrojtja në rastin e Gucatit e Haradinajt përfundon paraqitjen e provave
   Betimi për Drejtësi

Mbrojtja në rastin e Gucatit e Haradinajt përfundon paraqitjen e provave

Më 2 shkurt, ekipet e mbrojtjes së Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, e kanë njoftuar gjykatën për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave.

Gjatë paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes, janë dëgjuar disa dëshmitarë, mes tyre ishte edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.


APR
Romay Lift

MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi