Marrëveshja për tregti të lirë Serbi-Kinë, Stano: Serbia të tërhiqet
“Serbia është e lirë të konkludojë marrëveshje tregtare me vende ose organizata tjera para se të anëtarësohet në Bashkim Evropian, por derisa kjo nuk është në dëm të provizioneve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Serbisë dhe BE-së”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Referuar shpalljes së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Serbi-Kinë, Stano theksoi se “si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE, Serbia detyrohet të tërhiqet nga të gjita marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së lirë, mu në ditën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Pas bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se një marrëveshje e tillë do të të nënshkruhet deri në fund të vitit, duke theksuar se kjo do të rrisë ndjeshëm tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Kinës dhe do të tërheqë investitorë të huaj në Serbi.
Zëdhënësi i BE-së vuri në dukje gjithashtu se “BE është partneri më i rëndësishëm tregtar dhe investues i Serbisë.”
Sipas Stanos, “në vitin 2020, 61 përqind e tregtisë së saj ishte me Bashkimin Evropian, me dinamikë shumë të favorshme rritjeje, ndërsa pesha e Kinës në tregtinë e jashtme arriti në tetë përqind”, përcjell AlbanianPost.
Kur bëhet fjalë për investimet e huaja direkte (IHD) në Serbi, pjesa e kompanive të BE-së ishte 69 përqind, ndërsa investimet direkte nga Kina ishin 3,5 përqind, tha zëdhënësi i BE-së.























