Kryetari i Gjilanit publikon borxhet e qeverisjes së kaluar
BKT
   Komunat

Kryetari i Gjilanit publikon borxhet e qeverisjes së kaluar

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni i ka bërë publike obligimet financiare të Komunës nga qeverisja e kaluar.

Në një komunikatë për media të komunës, bëhet e ditur se kryetari Hyseni, ka thënë se është zotuar për transparencë dhe se do të ketë këtë qasje përgjatë gjithë qeverisjes.

“Ne jemi zotuar për transparencë. Qasja jonë është dhe do të jetë e tillë përgjatë të gjithë mandatit, andaj edhe si institucion komuna është e hapur dhe mirëpret qytetarët e palët e ndryshme për takime”, ka thënë Hyseni.

Deklarata e plotë e kryetarit Alban Hyseni:

Kemi potencuar e tërhequr vëmendjen tek obligimet e mëdha financiare të komunës së Gjilanit. Kemi vendosur që lista e obligimeve të komunës të bëhet publike.

Gjilani, përgjatë viteve (sidomos 8 të fundit), ka krijuar obligimet financiare si vijon:

1. Obligimet financiare jo kontingjente: 11,062,061.67 euro
2. Obligimet financiare kontigjente: 14,480,300.00 euro

Për këto dy muaj të qeverisjes tonë, në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, kemi pranuar njoftimin nga përmbaruesi për obligimet që do të ekzekutohen përmes procedurës përmbarimore. Vlera e këtyre obligimeve është 3,500.000 euro!

Shumica e detyrimeve janë nga shpronësimet. Të njëjtat janë bërë pa përfillur procedurat ligjore, ku fillimisht duhet zotimi i mjeteve e më pas edhe zbatimi i procedurës së ekspropriimit.
Nuk arsyetohemi. Ne do të punojmë. Nuk e përdorim si justifikim të kaluarën. Punojmë për të ardhmen.

Do të gjejmë shkelësit. Do t’i denoncojmë ata. Do të ndalim zhvatjen. Do të kthejmë dinjitetin e munguar.

Për Gjilanin që meritojmë, për të ecur në rrugën e zhvillimit.


MË SHUME NGA    Komunat