Takohen kryetarët e komunave Ilazi e Ballazhi
Realizimi dhe financimi i projektit “Shtegu i këmbësorëve dhe çiklistëve Kaçanik – Hani i Elezit”, ishte tema që i bashkoi sot dy Kryetarët e Komunave, Besim Ilazi- kryetar i Kaçanikut dhe Mehmet Ballazhi kryetar nga Hani i Elezit.
Kryetari Besim Ilazi, fillimisht e falënderoi Kryetarin Ballazhi për gatishmërinë për të bashkëpunuar në projekte konkrete që janë në interes të qytetarëve të te dyja komunave, duke shtuar se projekti në fjalë më shumë se një projekt rekreativ, është edhe projekt që do të ndërlidhë dy komunat dhe do të jetë pjesë bashkëpunimit ndërkomunal.
Projekti “Shtegu i këmbësorëve dhe çiklistëve Kaçanik – Hani i Elezit”, fillon nga vendi i quajtur “ Guri i Shpum” për të vazhduar përgjatë rrjedhës së Lumit Lepenc deri në Han të Elezit. Me këtë projekt të dy komunat do të aplikojnë në fondet e MAPL-së si pjesë e bashkëpunimit ndërkomunal. Në këtë takim u diskutuan edhe punë e projekte të përbashkëta që do të mund të realizohen në të ardhmen, ndërsa u konfirmua bashkëpunimi mes dy komunave.























