Raportohet se Ademi e ka sulmuar Govorin, reagon Ademi
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka mohuar incidentin mes tij dhe zyrtarit të këtij asosacioni sportiv, Artan Govorit.
Sot është raportuar se i pari i FFK-së, Agim Ademi ka sulmuar fizikisht punëtorin e FFK-së, Artan Govorin. Ky i fundit e ka lajmëruar rastin në Policinë e Kosovës.
“Rreth orës 14:00, kemi pranuar informatën për një rast sulmi, i cili ka ndodhë në zyrat e FFK-së. Lidhur me këtë rast aktualisht në stacion policor është duke u intervistuar pala ankuese. Për detaje njoftoheni me kohë”, ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënësja e Policisë në Prishtinë për ‘Blic’.
Por, Ademi përmes llogarisë së tij në Facebook, ka thënë se ky është një lajm i pavërtetë, dhe sipas tij, një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tij dhe njëkohësisht Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK.
Ky është reagimi i Ademit për ndërhyrje:
Miq të dashur,
Sot mediat raportuan me nguti dhe me tituj bombastik për kinse një ekses në FFK. Aty raportohet se, unë, si president i FFK-së, kinse e paskam sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.
Por, kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK.
Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës.
Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit.
Unë do të vazhdoj punën time me ndershmëri dhe nuk do të lejoj të bie pre e shantazhuesve që për qëllim kanë kapjen e FFK-së.
Me respekt,
A.A.























