FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Eroll Krasniqit
BKT
Sport

FFK me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Eroll Krasniqit

Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e ndarjes nga jeta të Eroll Krasniqit, ish-futbollist i Besës së Pejës.

Kontributi i Erollit për futbollin ishte i madh dhe i vlerësuar nga të gjithë, veçmas në rajonin e Dukagjinit, ka vlerësuar FFK. 

Më poshtë reagimi i plotë:

E nderuara Familje Krasniqi!

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Eroll Krasniqi, ndaj ju lutem që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, më lejoni të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për humbjen e më të dashurit tuaj dhe mikut tonë.

Kontributi i Erollit për futbollin ishte i madh dhe i vlerësuar nga të gjithë, veçmas në rajonin e Dukagjinit, ku ai spikati me lojëra atraktive në fanellën e KF Besa.

Ai u shqua për korrektësi maksimale në fushën e gjelbër, teksa në vazhdimësi kontribuoi që tek të rinjtë pejanë ta transmetojë dashurinë për futbollin.

Erolli ishte punëtor i madh sportiv, mik i jashtëzakonshëm e i respektueshëm dhe personalitet me vlera të larta, andaj si të tillë do ta kujtojmë gjithmonë.

Në këto momente të vështira për ju, bashkëndjejmë me dhimbjen tuaj, teksa lutemi që shpirti i tij të pushojë në paqe!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së