Asgjësohen 300kg mish në Skenderaj
   Komunat

Asgjësohen 300kg mish në Skenderaj

300 kilogramë mish janë asgjësuar në Komunën e Skenderajt. Nga kjo komunë kanë njoftuar se mishi nuk kishte dokumente të deklarimit dhe se i njëjti ishte i prishur.

“Është identifikuar, asgjësuar dhe groposur një sasi e mishit prej 300 kg, pa dokumentin e deklarimit dhe i prishur, falë bashkëpunimit mes Komunës së Skenderajt, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së dielës, kur Policia e Kosovës ka identifikuar automjetin që po transportonte mishin. Në këtë rast, është ftuar Drejtoria e Inspekcionit të Komunës së Skenderajt dhe Prokuroria, që kanë ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personit të kapur në flagrancë. Sasia e mishit është asgjësuar dhe groposur sipas procedurave të kërkuara, nga Kompania ‘Uniteti’”, thuhet në komunikatën e Komunës së Skenderajt.

Pas këtij rasti, ka reaguar edhe kryetari i Komunës, Fadil Nura, i cili ka thënë se shëndeti publik dhe jeta e qytetarit, janë të shenjta.

“Shëndeti publik dhe jeta e qytetarit, për ne janë të shenjta!Dhe derisa janë të tilla, do të godasim me forcën e ligjit kudo që ka veprime të paligjshme në tregti, veçmas në rastet kur haset në shitje të gjerave ushqimore me afat të skaduar! Fal koordinimit dhe bashkëpunimit mes Komunës së Skenderajt, Policisë dhe Prokurorisë, janë identifikuar, asgjësuar dhe groposur rreth 300 kg mish, pa deklaracion, për më tepër i prishur! Ftoj publikisht secilin qytetar të lajmërojë tek Inspektorati dhe Policia e Kosovës, çdo parregullsi apo shkelje ligjore”, ka shkruar Nura. /F.S


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA    Komunat