Mancini jep shenja frike para duelit me Maqedoninë e Veriut
Roberto Mancini paralajmëron se Italia nuk ka pasur shumë kohë për t`u përgatitur për Maqedoninë e Veriut dhe ndeshjet tjera të play-off-it të Kupës së Botës dhe kjo është arsyeja pse ai u fokusua tek të njëjtët lojtarë që fituan Kampionatin Evropian 2020.
Fituesi i duelit Itali-Maqedoni e Veriut do të përballet me Portugalinë ose Turqinë për një vend në Kupën e Botës 2022.
“Nuk kemi pasur shumë kohë, djemtë duhej të rikuperoheshin nga udhëtimet e gjata dhe shumë lojëra, kështu që kishim vetëm gjysmë dite për të provuar situatat taktike”, tha Mancini në konferencën për shtyp. “Kjo është arsyeja pse ne u fokusuam tek të njëjtët lojtarë që fituan Euron, pasi ata e njohin njëri-tjetrin dhe atë që ne duhet të bëjmë”.
Në skuadrën aktuale janë gjithashtu nëntë lojtarë që përjetuan eliminimin në play-off të Kupës së Botës ndaj Suedisë në nëntor 2017. “Kjo është jeta e një figure sportive, ka ngritje dhe ulje, të gjithë dëshirojmë që të mund të përjetonim vetëm fitore. Gjithçka që duhet të bëjmë është të përqendrohemi te vetja. Italia luan futboll të mirë dhe ne nuk duhet të fokusohemi në asgjë më shumë”, shtoi Mancini.
Portugalia ka Cristiano Ronaldon dhe Turqia kanë shënuar disa rezultate të mira në fazën e grupeve, pra a ka ndonjë favorit në këtë rrugë drejt Kupës së Botës? “Të gjithë fillojmë nga e para, çdo ndeshje fillon me 0-0 dhe çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta”, ishte përgjigja e Mancinit.
“Unë nuk shoh ndonjë favorit, pasi çdo ndeshje duhet të luhet, përfshirë ato që mund të duken të lehta në letër. Maqedonia e Veriut mbrohet mirë dhe ka teknikë të mirë, mos harroni se fituan ndaj Gjermanisë në kualifikuese. Ne kemi nevojë për durim, por fillon nga 0-0, nuk është se duhet të përmbysim një rezultat”, tha në fund ai.























