BE paralajmëron Kinën nëse mbështet invazionin rus në Ukrainë
Sipas presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, Kina do të marrë një reputacion tejet negativ, nëse mbështet Rusinë. "Askush në Evropë nuk do ta kuptonte këtë."
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e cila mori pjesë në bisedimet BE-Kinë të premten, deklaroi se askush në Evropë nuk do ta kuptonte nëse Kina do të mbështeste invazionin rus në Ukrainë.
Sipas Von der Leyen, Kina do të rrezikonte seriozisht reputacionin e saj në Evropë, nëse do ta bënte këtë.
Gjatë gjithë të premtes, liderët e BE-së dhe Kinës diskutuan për luftën në Ukrainë dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me vendet e BE-së dhe Kinës, njoftojnë mediet skandinave, transmeton RTKLive.
Nga diskutimet nuk doli asnjë deklaratë e përbashkët.
Përveç von der Leyen, BE-ja u përfaqësua nga Charles Michel, president i Këshillit të BE-së dhe Josep Borrell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme. Fillimisht ata folën në mëngjes me kryeministrin kinez Li Keqiang, ndërkaq pasdite delegacioni i BE-së u takua me presidentin kinez, Xi Jinping.
Bëhet e ditur se takimet BE-Kinë janë mbajtur 22 herë më parë, por lufta në Ukrainë e ka ndryshuar plotësisht situatën.
Qëllimi kryesor i BE-së ishte t'i transmetonte Kinës mesazhin se Perëndimi do të vepronte i bashkuar kundër Rusisë, e cila po bën luftë pushtuese ndaj Ukrainës, prandaj Kina duhet të mendonte me kujdes se në anën e kujt do të mbështeste./M.M.























