Rriten çmimet e shportës ushqimore në Shqipëri
Një strukturë e posaçme e krijuar nga qeveria në Tiranë për emergjencë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, vendosi çmime të reja për mallrat e shportës bazë të ushqimeve.
Bordi i Transparencës i krijuar për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve dhe abuzimet e tregut, vendosi çmimet e orizit, sheqerit, miellit dhe vajit.
Vendimi u publikua sot më 5 prill, katër ditë më vonë nga mbledhja e Bordit të Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të prodhimeve ushqimore bazë dhe të prodhimeve të tjera të lidhura me to.
Vendimi i çmimeve të reja është i detyrueshëm për të gjithë subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Më herët, që nga janari sipas INSTAT-it (Instituti i Statistikës) çmimet e mallrave janë rritur deri në 30 për qind.
Çmimet për kilogramë apo litër pasqyrohen në monedhën vendase lek, që në tregun e këmbimit zyrtar sipas Bankës së Shqipërisë është i barabartë 1 Euro me 121.42 lek.
Përkatësisht 104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg), 123 lekë/kg për sheqerin (1 kg), 321 lekë/litër për vajin e lulediellit, 90.5 leke/kg për miellin masiv.
Ndërkaq, e njëjta strukturë, Bordi, vendosi marzhet e fitimit që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.























