Aeroplanët rusë vazhdojnë të cënojnë hapësirën ajrore finlandeze
Një avion shtetëror rus dyshohet se ka shkelur hapësirën ajrore finlandeze në Gjirin e Finlandës, pranë Porvoo-s.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka raportuar rastin, shkelja e dyshuar e hapësirës ajrore ka zgjatur tre minuta dhe avioni, që e ka kryer atë, ka qenë i tipit IL-96-300.
Kristian Vakkuri, menaxher i Komunikimit në Ministrinë e Mbrojtjes, deklaron për HS se ishte një aeroplan pasagjerësh shtetëror rus, që fluturonte nga lindja në perëndim, rreth orës 6 të mëngjesit, transmeton RTKLive.
Po kështu edhe Policia Qendrore Kriminale njoftoi të mërkurën se po hetonte katër devijime të paautorizuara të avionëve rusë në hapësirën ajrore finlandeze.
Bazuar në hetimin paraprak, katër avionë rusë pasagjerësh kanë shkelur hapësirën ajrore finlandeze në mars, në Loviisa.
Megjithatë, shkelja e fundit e dyshuar e hapësirës ajrore po hetohet nga Roja Kufitare, pasi bëhet fjalë për një avion shtetëror, ndryshe nga rastet e marsit.
Sipas Vakkur-it, shkelja e mëparshme e hapësirës ajrore nga një avion shtetëror rus ka ndodhur në korrik 2020./M.M.























