Vazhdon edhe këtë vit organizimi i turneut selektiv në 3x3
BKT
Sport

Vazhdon edhe këtë vit organizimi i turneut selektiv në 3x3

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka njoftuar sot përmes një komunikate që ekipet kombëtare të Kosovës në basketbollin 3x3 do të marrin pjesë në kualifikimet për FIBA Euro Cup 3x3, që zhvillohen në Qipro në fundjavën e parë të qershorit.

FBK do të vazhdojë edhe në këtë vit të organizojë turne selektiv, duke inkurajuar ekipet më cilësore të marrin pjesë, ndërsa rezultatet e turneut do të shërbejnë si bazë për selektimin ekipit kombëtar të 3x3.

Turneu selektiv do të zhvillohet në fundjavën e dytë të muajit maj, ndërkaq edhe këtë vit do të kërkohet që lojtarët të kenë profile të vërtetuara në platformën zyrtare të FIBA-s për 3x3, përcjell KosovaPress.

“Datat e sakta dhe kushtet e lajmërimit të lojtarëve dhe ekipeve do ti publikojmë ditëve të ardhshme, por kusht themelor është që lojtarët që vijnë në turne, të kenë profile të vërtetuara në FIBA”, tha koordinatori i FBK-së për 3x3 Leart Hoxha.

“Pas përfundimit të turneut, FBK do të paraqesë deri në 6 lojtarë fillimisht për licencim në FIBA dhe më pas do të vendosim për katërshen definitive që do të përfaqësojë Kosovën në kualifikime për FIBA Europe Cup 3x3”, shtoi më tej Hoxha.

Vitin e kaluar në kualifikime për FIBA Europe Cup 3x3, që janë zhvilluar në Constanta të Rumanisë, Kosovën tek meshkujt e kanë përfaqësuar Bardh Rexha, Admir Mullabazi, Visar Ejupi dhe Altin Selmancena.

Tek femrat për Kosovën janë paraqitur Arbnore Përquku, Diedona Halitaj, Saranda Daci dhe Marigona Rushiti.