Kupa e Italisë, Interi me lehtësi mposht Milanin, kalon në finale
Ka përfunduar derbi mes kampionit italian Inter dhe skuadrës së Milanit, ku tani kemi mësuar finalistin e parë të Kupës së Italisë.
Pas plot 90’ minutave lojë të zhvilluara, Interi ka shënuar fitore bindëse kundër Milanit, duke e mposhtur në “Giuseppe Meazza” me rezultat 3:0, përcjell KosovaPress.
Fillimisht, ishte sulmuesi argjentinas Lautaro Martinez ai i cili e zhbllokoi rezultatin i pari në këtë ndeshje, ku kalon skuadrën e Inzaghit në epërsi prej 1:0 qysh në minutën e 4’.
Ylli argjentinas vazhdoi me paraqitje të bukur, ku e gjeti edhe golin e dytë për Interin dhe atë të dytë personal në minutën e 40’ të ndeshjes.
Golin e fundit të ndeshjes dhe të vulosjes së fitores për “Nerazzurët” e shënoi mbrojtësi i krahut Robin Gosens, i cili shënon në minutën e 82’ për rezultatin final 3:0.
Pasi që ndeshja e parë përfundoi me rezultat të barabartë 0:0, pas fitores së sotme, Interi eliminon Milanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë me rezultat 3:0, ku tani vazhdon në finale dhe pret fituesin e ndeshjes mes Juventusit e Fiorentinas.
Rezultati final i ndeshjes është 3:0 në favor të Interit.























