Sot “flasin” 48.7 milionë francezë
RFE/Me shkurtime
Francezët kanë nisur të votojnë sot ( 24 prill). Ata vendosin mes presidentit aktual pro-Bashkimit Evropian, Emmanual Macron, apo Marine Le Pen, një euroskeptike. Sondazhet fundit i japin Macronit një rritje të lehtë. Analistët thonë se Le Pen – pavarësisht përpjekjeve për të zbutur tonet dhe imazhin – mbetet jo shumë popullore për një pjesë të konsiderueshme të votuesve.
Mirëpo një fitore e befasishme e Le Penit nuk mund të përjashtohet, duke marrë parasysh numrin e madh të votuesve të pavendosur.
Ndonëse sondazhet nuk i japin shumicën asnjërit kandidat, zgjedhjet do të varen nga votuesit që janë duke peshuar në ankth situatën e një presidence të ekstremit të djathtë ndaj zemërimit që ekziston për presidencën aktuale të Macronit.
Nëse Le Pen fiton, kjo gjë do të shkaktonte të njëjtën ndjesi tronditëse sikurse ai kur britanikët patën vendosur për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.
Kutitë e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Të drejtë vote kanë 48.7 milionë njerëz.
Sondazhet e para pritet të dalin menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.
“Secili prej tyre ka mangësi të mëdha”, ka thënë Bernard Sananes në njërin prej sondazheve, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
“Emmanuel Macron konsiderohet arrogant nga më shumë se një në dy votues dhe Marine Le Pen vazhdon të jetë e frikshme për gjysmën prej tyre”.
Macron, 44-vjeçar, fitues i një gare me rivalen e njëjtë pesë vjet më parë, ka paralajmëruar për “luftë civile” nëse fiton Le Pen.
Në politikat e Le Pen – 53-vjeçare - përfshihet ndalesa e vendosjes së mbulesës për gratë myslimane në publik.
Ajo ka fokusuar fushatën e saj në rritjen e fundit të kostove të jetesës në Francë, gjë që sipas francezëve është përkeqësuar me rritjen e fundit të çmimeve të energjisë në gjithë botën.
Ajo po ashtu ka kritikuar Macronin duke thënë se ai tregon përbuzje elitare për njerëzit e zakonshëm.
Nëse Macron fiton, ai do të përballet me mandat të vështirë, pa periudhë të shijimit të pozitës sikurse në mandatin e parë.
Ai mund të përballet me protesta për shkak të planit të tij për reforma pro-biznesore, duke përfshirë rritjen e moshës së pensionimit nga 62 në 65 vjet.
Nëse Le Pen zë karrigen e presidentit, ajo do të mëtojë të bëjë ndryshime radikale në politikat e brendshme dhe të jashtme të shtetit dhe protestat në rrugë mund të nisnin menjëherë.
Ndikimi do të vërehej në gjithë Evropën dhe më tej.
Kushdo që fiton, sfidë të madhe do të ketë fitoren në zgjedhjet parlamentare në muajin qershor, për të siguruar shumicën që i duhet për zbatim të programit.























