Marine Le Pen pranon humbjen
J.M
Marine Le Pen, politikania franceze e ekstremit të djathtë, e pranoi fitoren e kundërshtarit të saj, Emmanuel Macron. Megjithatë, humbjen e saj, ajo e quan një fitore, për shkak të mbështetjes që mori.
Pas shpalljes së projeksioneve të cilat e nxjerrin fitues, presidentin aktual të Francës, Emanuel Macron, kundërkandidatja e tij, Marine Le Pen, mbajti fjalim para mbështetësve të saj.
Në qendrën ku ishin mbledhur, Le Pen e nisi fjalimin duke thënë se “njerëzit e Francës vendosën sot”.
“Ne mund të kishim parë një erë të madhe lirie që përfshiu këtë vend”, tha Le Pen para përkrahësve të saj në Paris.
“Por votuesit francezë vendosën ndryshe”.
Për garën e zhvilluar, Le Pen tha se nuk ka asnjë peng.
Megjithatë, ajo e konsideron këtë “një fitore të shkëlqyeshme”. Le Pen tha se kundërshtarët që e konsideruan partinë e saj të vdekur “mijëra herë, gjithmonë kanë gabuar”.
Por, një paralajmërim ajo e dha për gjithë liderët evropianë. Sipas saj, duhet tashmë të përballen me besimin e popullit.
“Unë do të ndjek angazhimin tim për Francën dhe francezët”, tha ajo.
Zotimi i saj është se do të udhëheqë betejën e ardhshme elektorale të Tubimit Kombëtar, zgjedhjet legjislative të qershorit.
“Rroftë Republika dhe rroftë Franca”, përfundoi fjalimin Marine Le Pen, në interpretimin e himnit kombëtar, “La Marseillaise”.























